.

Një foshnje 2 muajsh me COVID-19 në QSUT, Kule: Është në trajtim bashkë me nënën, gjendja e stabilizuar

Shefja e shërbimit të Pediatrisë në QSUT, Xhorxhina Kule ka informuar për gjendjen e një foshnje 2 muajsh e prekur me COVID-19 e cila ndodhet e shtruar prej mbrëmjes së të mërkurës në Shërbimin Infektiv pediatrik.

Kule tha se fëmija ka ardhur me shenja të sëmundjes dhe bronkopneumoni pa insuficencë respiratorë dhe ka rezultuar pozitivë për COVID-19. Po kështu dhe nëna ka shenja të sëmundjes, por janë të stabilizuar.

“Nga komunikimet e mëparshme që kemi pasur me infkesionet tek fëmijët gjithnjë ju kemi vënë në dijeni për numrin e fëmijëve. Deri mbrëmjen e pardjeshme nuk kemi pasur asnjë fëmijë të hospitalizuar. Pardje është shtruar një fëmijë 2 muajsh, me shenja të sëmundjes dhe një bronkopneumoni pa insuficencë respiratore. Dhe nëna ka shenja të sëmundjes, të dy janë të hospitalizuar tek ne pasi fëmija është me gji. Janë në trajtim dhe observim nga mjekët. Për momentin, deri tani që flasim, gjendja është e stabilizuar. Që mbrëmë të dy nuk kanë referuar shenja të larta të temperaturës. Jemi në pritje me shpresë që çdo gjë do përfundojë mirë”, deklaroi Kule.
Ajo deklaroi se rreth 110 fëmijë janë prekur nga COVID-19 nga marsi por asnjë nga këta nuk ka kërkuar hospitalizim.