.

Horrori në Kombinat/ Era e rëndë alarmoi fqinjët, nëna mbante prej 5 muajsh në banesë trupin e vdekur të së bijës (Detaje tronditëse)

Detaje tronditëse që ngjajnë me skena të një filmi horror dalin në dritë nga ngjarja e rëndë, ku nënë e bijë u gjetën të pajeta në Kombinat, ndërsa vajza tjetër e familjes përfundoi në gjendje të rëndë në spital.
Nëna me të bijat jetonin me qira prej 15 vitesh në një apartament në katin e 3 të një pallati mbrapa ish-mapos në Kombinat, afër gjimnazit “Myslim Keta”.

Po ashtu mësohet se prej gati 2 vitesh, kjo familje thuajse jetonte e izoluar, ndërsa fqinjët e tyre thuajse nuk kishin kontakte, madje dyshonin nëse ato jetonin ende në atë shtëpi, pasi nuk bënin kurrë zhurmë. I vetmi që interesohej për to ishte vëllai i Xhanetës, i cili edhe para 3 javësh kishte tentuar të komunikonte me të motrën, e cila i shmangej kontaktit me të apo dhe vizitave në shtëpi. Duke qenë përballë kësaj situate, vëllai i 56-vjeçares, është paraqitur në polici, ku ka raportuar edhe sjelljen e çuditshme të familjes së motrës së saj. Për të verifikuar situatën nga afër, një patrullë policie është paraqitur në banesën e të ndjerës, ndërsa punonjësit e policisë e kishin pyetur Xhaneta Josifin nëse kishin ndonjë problem për faktin se pse rrinin të izoluara bashkë me vajzat.Ajo i kishte pohuar policëve se qëndronte brenda pasi ndiheshin të rrezikuara për shkak të koronavirusit dhe për arsye personale.

Ndërkohë, detaji tronditës është dhe fakti se ka dyshime të forta se njëra nga vajzat, Anisa Josifi ka ndërruar jetë disa muaj më parë, dhe se nëna, e ndihmuar nga e bija, ia lyenin trupin me solucion, (vaj dhe uthull) për të vonuar procesin e dekopozimit, ndërsa e mbulonin atë me shumë kuverta, për të shmangur dhe erën e rëndë. Por duke kaluar shumë kohë, (mendohet rreth 5 muaj) fqinjët janë alarmuar nga era e rëndë që ndihej, por kurrsesi nuk menduan se në pallat kishte një njeri të pajetë, pasi dyshonin se ishte për shkak të tubacioneve, madje ata njoftuan edhe bashkinë për këtë fakt./BW