.

Dogana e Kosovës në Durrës, Rama: Duhet detajim teknik i marrëveshjes. Një dokument i vetëm për mallrat

Kryeministri Edi Rama ka folur dhe për doganën e Kosovës në Durrës, një stacion i vetëm që duhet trajtuar si hyrja në vend. Sipas kryeministrit, duhet një detajim teknik i marrëveshjes për të mos lejuar që burokracia apo interesa të caktuara të pengojnë zbatimin.

“Ne kemi vendosur për të shtyrë më tutje bashkëpunimin. Një pjesë e marrëveshjeve janë të mbetura pezull, një pjesë janë zbatuar. Kemi diskutuar konkretisht dhe do të vazhdojmë bisedën konkrete për të gjithë elementet që lidhen me zbatueshmërinë e disa marrëveshjeve. Sot kemi folur për doganën e Kosovës në Durrës. Në parim kjo është diçka e dakordësuar. Por në zbatim është ende jo e plotë. Jo një stacion i parë i pasuar nga një stacion i dytë kontrolli në Morinë, por një stacion i vetëm në Durrës.

Hyrja e të gjitha mallrave për në Kosovë duhet të trajtohet si një hyrje në Kosovë. Kjo do të thotë që na duhet një detajim teknik i marrëveshjes për të mos lejuar që burokracia apo interesa të caktuara të pengojnë zbatimin. Po ashtu kemi folur për njehsimin e dokumentacionit lidhur me mallrat që eksportohen apo importohen mes të dy vendeve ku është e pamundur të flasim për efikasitet të plotë nëse nuk arrijmë që të dyja palët të kenë gjuhë teknike të njehsuar dhe të mos vazhdojmë t’i kërkojmë ne në Shqipëri eksportuesve të Kosovës që të kenë dokumente dhe të Shqipërisë, psh. të AKU por një dokument të jetë i vlefshëm për të dy vendet”, deklaroi Rama.