.

Ç’po ndodh/ 4 muaj më parë një i ri refuzoi ushqimin, forma e vetëflijimit që u përsërit mbrëmë në Kombinat u shfaq edhe në Bathore

“Kishte kohë që nuk e kemi parë Anisën të dalë nga shtëpia. Mbase javë“. Kështu e nis rrëfimin një fqinje e tre grave, dy prej të cilave nënë e bijë u gjendën të vdekura, ndërsa e treta Blera Josifi u transportua me urgjencë në spital për t’i shpëtuar jetën.

“Mendojmë, pohoi për gazetën “Si” një ekspert i kriminalistikës se së paku prej tre javësh nga mos ushqyerja ka ndërruar jetë Anisa Josifi. Duke refuzuar ushqimin e dyta që ka humbur jetën nga kjo mënyrë e rrallë vetëflijimi është e ëma që dyshohet të ketë vdekur së paku dy ditë më parë, ndërkohë që femra e tretë që jetonte me to , përpëlitej mes jetës dhe vdekjes”.

“Vajzës i është dhënë asistenca dhe vlerat ushqimore në rrugë mjekësore”, tregoi një ekspert policie i cili këmbëngul se pavarësisht këtyre dyshimeve do të jetë fjala e mjekëve ligjorë që do përcaktojnë definitivisht shkaqet e vetëflijimit. Por, era e keqe në shtëpinë e tyre si edhe dekompozimi i trupit të më të resë tregon se ato e kishin vendosur të vdisnin duke i dhënë fund jetës me refuzimin e ushqimit.

“Ato ishin të qeta në botën e tyre. Ne përpiqeshim t’i ndihmonim, por ato refuzonin. Kishin kohë që frekuentonin fenë. Me prejardhje ishin nga Përmeti. Bashkëshorti i Zhanetës ndërroi jetë dhe të treja nënë e bijë jetonin bashkë”, tregon një qytetare, e cila nuk di të tregojë saktësisht se për çfarë besimi bëhet fjalë dhe kur saktësisht ato hynë në besim.

Zhaneta dhe dy vajzat e saj kishin në shtëpi libra për ringjalljen pohoi shkurtimisht një ekspert policie, sipas të cilit duhet bërë kujdes për ta thënë paraprakisht besimin e tre grave.

“Por e vetmja që do të hedhë dritë veç ekspertizës mjeko-ligjore do të jetë edhe dëshmia e të mbijetuarës”, shtoi burimi policor i gazetës “Si” në komisariatin e Kombinatit.

Precedenti

Po përse policia po rezervohet të mos tregojë përfundimisht se për cfarë besimi bëhet fjalë? Jozyrtarisht thuhet se bëhet fjalë për “Dëshmitarët e Jehovait”, të cilët gjatë dy dekadave kanë patur jo pak raste vetëvrasjesh, kryesisht të adoleshentëve.

Pika kulmore e dhënies fund të jetës nga praktikantët e këtij sekti është shënuar rreth viteve 2004 deri në 2008, ku në Tiranë u raportuan edhe fëmijë që mendohej që u vetëvranë. Njëri prej tyre jetonte në zonën e Krrabës, ndërsa tjetri në Paskuqan. Por, katër muaj më parë, po në Tiranë ndërroi jetë një djalë i ri, forma e vetëvrasjes ishte e padëgjuar më parë në kryeqytet. Ai refuzonte ushqimin.

Pas përpjekjve të familjes, të cilët kishin njoftuar edhe psikologët për ndryshimin radikal të viktimës, i riu sipas burimeve të gazetës “Si”, u largua nga shtëpia. Ai u denoncua i larguar nga e ëma në polici dhe pas shumë kërkimeve, djali u gjet i pajetë nga mos ushqyerja në afërsi të zonës së Mjull Bathores.

Por kjo ngjarje u mbaj sekret në atë kohë dhe hetimet po vazhdojnë ende për t’i vendosur një emër se çfarë praktikonte viktima.
Burimi:Gazeta Si