.

Majko sjell në vëmendje 2 korrikun 1990: Qytetarët qëndruan në ambasada 11 ditë, kjo datë prodhoi…

Në ceremoninë përkujtimore të 2 korrikut 1990, në rrugën e ambasadave, Ministri i Diasporës, Pandeli Majko solli në vëmendje ngjarjen e shënuar për vendin 30 vite më parë. Në fjalën e tij, Majko tha se 2 korriku 1990 ishte tronditja më serioze për një nga regjimet më të kontrolluara të Lindjes Komuniste.

“ 2 korriku i vitit 1990 ishte një ngjarje dramatike. Në 2 korrik, në zemër të Tiranës, në dyer e ambasadave të Perëndimit vërshuan për të kërkuar strehim rreth 5 mijë qytetarë, gra burra e fëmijë. Ishte tronditja më serioze për një nga regjimet më të kontrolluara të Lindjes Komuniste. Situata u kthye në një emergjencë humanitare, sidomos në ambasadën e Gjermanisë, Italisë, Francës, por edhe në të tjera. Qytetarët qëndruan në ambasada për 11 ditë dhe netë duke u ndihmuar nga trupi diplomatik dhe të rrethuar nga forca të shumta policie.

Në 13 korrik, me ndërhyrjen e OKB ata u lejuan të largoheshin. Kam qenë student dhe kujtoj që regjimi në atë kohë organizoi një miting në qendër të Tiranës për t’ju kundërvënë aktit të të larguarëve drejt perëndimit. Në fakt, ky ishte takimi i fundit në publik në sheshin më të madh të vendit. Ata që ikën e morën me vete edhe datën e 2 korrikut. Kjo datë prodhoi një akt i cili sa refuzoi atë që ishte, po ashtu prodhoi atë që do të vinte për shoqërinë shqiptare.

Sot numri i shtetasve shqiptarë me pasaporta të BE po shkon në 500 mijë vetë. Gjermania, Franca dhe Italia e më pas kufiri me Greqinë u bënë destiancion i një brezi, ata ndryshuan Shqipërinë. Jemi sot për të përkujtuar një rrugëtim që nisi nga dera e vogël e ambasadave me shpresën për të përfunduar në destinacionin kombëtar të shqiptarëve në Bashkimin Europian. Në 2 korrik 1990 ambasada e gjermanise ishte strehuesja më e madhe e shqiptarëve” u shpreh Majko.