.

Covid-19/ Sugjerimi i mjekut të njohur: Kjo është zgjidhja për të shpëtuar doktorët dhe pacientët


Ndarja nga jeta e mjekut të parë, Arjan Pushi, pas infektimit me Coronavirus tronditi jo pak vendin tonë. Kjo tregoi se sa në rrezik ndodhen në përditshmërinë e tyre uniformat e bardhë që bëjnë të pamundurën për t’u kujdesur për të sëmurët.

Eksperti i Shëndetit Publik, mjeku Erion Dasho, ka dhënë një ide për të shmangur sa më shumë kontaktin mes pacientëve me Covid-19 dhe mjekëve.

Sipas tij, ideja më e mirë është krijimi i një reanimacioni virtual, e cila ekziston sot si zgjidhje inteligjente që do të përmirësonte ndjeshëm cilësinë e kujdesit intensiv.

Në një status në Facebook Dasho shprehej se ky reanimacion do të mundësojë “lidhjen e gjithë shtetërve reanimatorë në një panel të vetëm ku ekipet reanimatorë të QSUT “Nënë Tereza”, “Shefqet Ndroqi” dhe të çdo spitali rajonal mund të punojnë si një ekip i vetëm duke ndarë njohuri, aftësi dhe pervoja”.

“Reanimacioni virtual krijon mundësinë që pacientët e hospitalizuar (përfshi edhe pacientët e intubuar) të menaxhohen përgjatë 24 orëve nga mjekë të specializuar brenda dhe jashtë vendit, pa patur nevojë të kenë kontakt fizik me pacientin. Përfitimi është dyfish,” shkruan Dasho.

Statusi i plotë

NJË REANIMACION VIRTUAL PËR PACIENTËT E PREKUR NGA COVID-19

Muaji qershor u mbyll me gati 30 vdekje, pothuajse aq sa tre muajt e parë të epidemisë. Me rritjen e rasteve midis personave të moshuar dhe atyre të prekur nga sëmundje kronike, më tepër raste pritet të kenë nevojë për hospitalizim dhe kujdes intensiv. Sot ekziston një zgjidhje inteligjente që përmirëson ndjeshëm cilësinë e kujdesit intensiv:

REANIMACIONI VIRTUAL!

Reanimacioni virtual mundëson lidhjen e gjithë shtetërve reanimatorë në një panel të vetëm ku ekipet reanimatorë të QSUT “Nënë Tereza”, “Shefqet Ndroqi” dhe të çdo spitali rajonal mund të punojnë si një ekip i vetëm duke ndarë njohuri, aftësi dhe pervoja.

Reanimacioni virtual krijon mundësinë që pacientët e hospitalizuar (përfshi edhe pacientët e intubuar) të menaxhohen përgjatë 24 orëve nga mjekë të specializuar brenda dhe jashtë vendit, pa patur nevojë të kenë kontakt fizik me pacientin. Përfitimi është dyfish. Koha e kontaktit mjek-pacient rritet, kurse ekspozimi i mjekut ulet deri në eliminim.

Komandat e aparaturave të ndryshme jepen në distancë dhe parametrat jetësorë të pacientëve po ashtu monitorohen në distancë. Në çdo moment mund të kërkohet mbështetje nga mjekë reanimatorë të spitaleve të tjera, madje edhe nga mjekë shqiptarë që punojnë dhe jetojnë jashtë vendit. Këta të fundit kuptohet se kanë qasje në protokolle, teknika trajtimi dhe përvoja më të avancuara në raport me Shqipërinë.

Një sistem i tillë mund të implementohet brenda pak ditëve dhe kosto e tij është e përballueshme. Para shtatë vitesh, kur ende isha në drejtim të Qendrës Kombëtare të Telemjeksisë, ngritjen e një sistemi të tillë e kemi patur në planet zhvillimore të institucionit.

UROJ QË KOLEGËT E QSUT “NËNË TEREZA” TA MARRIN NË KONSIDERATË NJË PROPOZIM TË TILLË QË KA POTENCIALIN TË SHPËTOJË DHJETËRA JETË PACIENTËSH TË PREKUR NGA KOMPLIKACIONET E COVID-19 DHE, NË TË NJËJTËN KOHË, TË MBROJË JETËN DHE SHËNDETIN E PERSONELIT MJEKSOR!/gazetashqip