.

Finalizohet drafti për Reformën Zgjedhore, Opozita e Bashkuar thirrje Qeverisë: Të heqë dorë nga manovrat apo provokimet për…

Opozita e Bashkuar i bën thirrje Qeverisë të heqë dorë nga manovrat apo provokimet, që sipas saj do të minonin konsensusin e arritur midis forcave politike për Reformën Zgjedhore. Në përmbyllje të draftit final për këtë reformë, në deklaratën e saj, Opozita e Bashkuar thotë se “Qeveria duhet t’i përmbahet angazhimit për miratimin e Reformës Zgjedhore pa asnjë ndryshim”. “Zbatimi sa më parë i ndryshimeve ligjore do të mundësonte jetësimin e garancive shtesë, përfshirë fillimin nga puna sa më parë të KQZ për implementimin e identifikimit biometrik”, thuhet më tej.

Deklarata e Opozitës së Bashkuar

Sot është përmbyllur kodifikimi me konsensus i Dakordësisë së 5 Qershorit për Reformën Zgjedhore, duke shënuar një kontribut real të opozitës për plotësimin e 1 nga 15 kushtet për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian.

Opozita e Bashkuar kërkon miratimin pa vonesa të draftit të depozituar zyrtarisht në Kuvend, sipas Marrëveshjes Politike të 14 Janarit.

Qeveria duhet t’i përmbahet angazhimit për miratimin e Reformës Zgjedhore pa asnjë ndryshim, duke hequr dorë nga manovrat apo provokimet, që do të minonin konsensusin e arritur midis forcave politike.

Zbatimi sa më parë i ndryshimeve ligjore do të mundësonte jetësimin e garancive shtesë, përfshirë fillimin nga puna sa më parë të KQZ për implementimin e identifikimit biometrik. Opozita e Bashkuar falenderon edhe njëherë partnerët ndërkombëtarë për ndihëm e çmuar që kanë dhënë gjatë procesit dhe për nxitjen e palëve politike drejt këtij konsensusi që i hap rrugë zgjedhjeve.