.

Reformë e re në ushtri? Xhaҫka harton ligjin e ri: Grada e karriera, kush përfiton dhe penalizohet


Qeveria ka hartuar një draft të ri për rregullimin e karrierave në ushtri, në të cilin vendoset se të gjithë ushtarakët e liruar de fakto, por që nuk kanë marrë urdhra lirimi, ҫka i përjashton nga trajtimet ligjore, i bën ata subjekt të ligjit për trajtimin e ushtarakëve.

Projektligji është siguruar nga Gazeta “Shqip” dhe se së shpejti pritet të miratohet nga qeveria dhe më pas të kalojë për votim në Parlament.

Në një dispozitë kalimtare theksohet se “Të gjithë ushtarakët e larguar nga shërbimi aktiv dhe për të cilët nuk ka urdhra përkatës të nxjerrjes në lirim/rezervë, lirohen nga shërbimi aktiv me urdhër të ministrit të Mbrojtjes, me efekt nga data e largimit të tyre faktik, të verifikuar me dokumentacion zyrtar në dispozicion të Ministrisë së Mbrojtjes”.

Sipas relacionit të paraqitur dhe të siguruar nga Gazeta Shqip, si shpjegim të projektligjit: “Me anë të dispozitave kalimtare zgjidhen disa probleme të mbartura të Forcave të Armatosura, siç janë ushtarakët e liruar de facto, por pa pasur dokumentacionin e nevojshëm, urdhrin e lirimit. Kjo parregullsi ka ardhur si pasojë e reformës në Forcat e Armatosura dhe kohës së paqëndrueshmërisë institucionale gjatë periudhave të tranzicionit të sistemit politiko-ekonomik në Shqipëri. Zgjidhje e këtij problemi në këtë formë shmang procese gjyqësore në dëm të institucionit tonë, të cilat deri më tani kanë rezultuar të mbyllen në favor të palës paditëse. Në rast se për largimin nga shërbimi aktiv është ushtruar ndjekja penale, pika 1 e këtij neni aplikohet vetëm në rast se ushtaraku ka marrë pafajësinë me vendim gjykate të formës së prerë, është amnistuar ose në rast se ndjekja penale është parashkruar”.

Ndërkaq, projektligji për ndryshime në ligjin e karrierës së ushtarakut, vendos edhe rregulla të reja në trajtimin e oficerëve, ku sipas tij nëse një vendim politik i ministrisë apo i eprorëve do të lëvizë ushtarakun në një vend pune që kërkon gradë më të ulët, aty ai do të qëndrojë vetëm provizorisht, përkatësisht në një periudhë 1-vjeҫare.

Për të marrë një gradë më të lartë, është shtuar kriteri i arsimit, i cili përcaktohet në urdhrin e ministrit të Mbrojtjes.

Në draft, është vendosur një kufizim për të përparuar në gradë oficerët që punojnë në specialitete në ushtri: si kimia, elektronika, logjistika, etj. Këta ushtarakë nuk do të përparojnë në gradë, nëse organika e ministrisë së Mbrojtjes nuk e përcakton vendin e punës që kërkon një gradë më të lartë.

Ky projektligj përcakton edhe moshën maksimale të qëndrimit në detyrë të ushtarakëve. Kështu, ushtari profesionist me gradën më të ulët nuk mund të punojë më në ushtri kur mbush moshën 42 vjeҫ.

Kurse nënoficerët kanë një kufi nga 57-58 vjeҫ sipas gradave.

Një kapiten nuk mund të punojë më gjatë se 51 vjeҫ nëse nuk përparon në gradë, kurse një nënkolonel në forca tokësore apo Kapiten i rangut të dytë në Flotën Detare mund të punojë deri 61 vjeҫ.

Ndërkaq, në draft vendosen edhe mosha minimale kur një oficer mund të konkurrojë për ngritje grade. Kështu një Kapiten në Forcë Tokësore s’mund të garojë për promovim nëse nuk mbush moshën 34 vjeҫ, kurse një Kolonel nuk mund të kërkojë të bëhet Gjeneral po nuk ka mbushur moshën 50 vjeҫ.

Sipas ministrisë së Mbrojtjes, ligji i ri bëhet, pasi aktuali ka shkaktuar problem në funksionimin e ushtrisë.

Në relacionin shpjegues theksohet se “Problematikat kryesore, të cilat janë evidentuar nga zbatimi në praktikë i ligjit aktual, janë ulja e numrit të rekrutimeve, mungesa e një piramide të mirëfilltë, si pasojë e kufizimit të prurjeve të reja. Janë konstatuar gjithashtu lirime të panevojshme për mangësi në rregullimin e dispozitave të ligjit nr. 59/2014 “Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”.

Tabela me me ndryshimet

Në nenin 12 të bëhen ndryshimet, si më poshtë:

shkronja “ç” e pikës 1, ndryshohet si më poshtë:

“ç) Për studentët:

Titulli Lloji i gradës
Student ushtarak Ushtar I”

pas pikës 3, shtohet pika 4, si më poshtë:
“4. Ushtarët dhe nënoficerët që kandidojnë për shkolla të larta ushtarake brenda vendit mbajnë gradën e momentit të pranimit në shkollat e larta ushtarake, deri në përfundim të studimeve.”

Neni 3

Në nenin 13, të bëhen ndryshimet, si më poshtë:

1. Në pikën 1, shkronja “ç”, të ndryshohet, si më poshtë:

“ç) Ushtar IV Detar IV 2 vjet”

2. Pika 2 të shfuqizohet.

Neni 4

Në nenin 14, pika 1, shkronjat “g” dhe “gj”, të ndryshohen, si më poshtë:

“g) Nëntoger Nënlejtënant 33 vjeç

gj) Toger Lejtënant 38 vjeç”

Neni 5

Pas nenit 14, shtohen nenet 14/1 dhe 14/2, si më poshtë:

“Neni 14/1

Mosha maksimale e qëndrimit në shërbimin aktiv për specialitetet.

1. Mosha maksimale e qëndrimit në shërbim aktiv për specialitetet është:

Forca Tokësore/Ajrore Forca Detare Mosha në shërbim aktiv

a) Ushtar IV Detar IV 42 vjeç

b) Nëntetar Nëntetar 45 vjeç

c) Tetar Tetar 50 vjeç

ç) Rreshter Rreshter 57 vjeç

d) Kapter Kapter 58 vjeç

dh) Nëntoger Nënlejtënant 41 vjeç

e) Toger Lejtënant 45 vjeç

ë) Kapiten Kapitenlejtënant 51 vjeç

f) Major Kapiten i rangut të tretë 60 vjeç

g) Nënkolonel Kapiten i rangut të dytë 61 vjeç

Neni 14/2

Mosha minimale e konkurrimit për marrjen e gradës.

Mosha minimale për konkurrim për marrjen e gradave të larta dhe gradës “Gjeneral brigade/Kundëradmiral” është, si më poshtë:

Forca Tokësore/Ajrore Forca Detare Mosha në shërbim aktiv

a) Kapiten Kapitenlejtënant 34 vjeç

b) Major Kapiten i rangut të tretë 40 vjeç

c) Nënkolonel Kapiten i rangut të dytë 45 vjeç

ç) Kolonel Kapiten i rangut të parë 50 vjeç”

/gazetashqip