.

Akuzat për krime lufte, Hashim Thaçi pret kryeministrin Rama në Prishtinë


Kryeministri Edi Rama është takuar me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi pasditen e sotme pas disa takimeve të zhvilluara me liderët kosovarë.

Më herët gjatë ditës, Rama ka thënë përmes një postimi në rrjetin social, Twitter se qëndron në Kosovë për të biseduar rreth aktakuzës për krime lufte që ka paraqitur Zyra e Prokurorit Special kundër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe të tjerëve.

“Në Prishtinë, për të dëgjuar dhe mësuar më shumë pas fletë-rrufesë speciale që do të hyjë si njollë turpi e shekullit XXI në historinë botërore të drejtësisë, e cila praktikën e akuzës publike pa aktakuzë juridike e ka njohur veç në epokat e sundimeve ideologjike a para tyre!”, kishte shkruar më herët Rama.

Rama është takuar edhe me kryetaren e Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani, kryeministrin Abdullah Hotin, kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli dhe kryetarin e Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj.

Gjithashtu, Rama takoi në Prishtinë edhe kreun e PDK-së Kadri Veseli. Ky i fundit e prenzantoi Ramën me figurat kryesore të partisë së drejtuar nga ai.

Javën e kaluar, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën Thaçi, Veseli dhe të tjerë akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte./bw