.

Covid-19 na heq “dashurinë” për cash-in? Ja ç’ ndodhi gjatë pandemisë me volumin e transaksioneve në ATM

Covid-19 duket se ka zhbërë disi “dashurinë” e shqiptarëve për cash-in. Sipas të dhënave më të fundit nga Banka e Shqipërisë, gjatë muajit mars dhe prill vihet re një rënie deri në masën 25% e transaksioneve nëpër ATM, si në terma vëllimi ashtu edhe në vlerë.

Rënia më e madhe vihet re mes muajit shkurt dhe mars. Shkurti numëronte 1,389,137 transaksione për tërheqje parash nëpër ATM në të gjithë vendin.

Gjatë marsit kjo shifër zbriti në 1,106,428 transaksione dhe gjatë prillit në vetëm 963,617. Pra, në muajin Prill shqiptarët i kanë përdorur 44% më pak ATM për të tërhequr para. Në vlerë, rënia fiksohet në vetëm 20% ndërkohë.

Kjo do të thotë se, ndërkohë që ka rënë frekuentimi i ATM-ve, është rritur vlera mesatare e tërheqjes së parave, nga 11.900 lekë mesatarisht në shkurt, në 14.200 lekë në muajin prill.

Por, ndërkohë që tërheqja e parave cash ka pësuar një rënie me 44% gjatë periudhës shkurt-prill, ku përfshihet edhe kulmi i krizës si pasojë e izolimit, vëllimi i transaksioneve në pikat POS gjatë së njëjtës periudhë kohore ka rënë me një ritëm më të vogël, në 32%.

Kjo tregon se, ka një zhvendosje të lehtë nga cash-i drejt parasë elektronike, që mund të jetë rrjedhojë e drejtpërdrejtë e frikës nga përdorimi i parasë fizike si pasojë e virusit sars-cov-2.

Shqipëria është vendi me nivelin më të lartë në Europë të përdorimit të cash-it, në rreth 90% të totalit të transaksioneve.

Covid-19 mund të rezultojë të ketë të paktën një anë të mirë në këtë aspekt; të ulë përdorimin e parasë fizike, duke përqafuar një tendencë globale.

Të dhënat edhe nga vende të ndryshme të Europës, si psh Britania e Madhe, flasin gjithashtu për një tendencë të re zhvendosje të mjetit të transaksioneve, nga cash-i, drejt parasë elektronike, paçka se, vendet e Europës perëndimore kanë nivele ndjeshëm më të ulta se ne të përdorimit të parasë fizike./Tema