.

“Kurba s’më duket normale”, ish-presidenti Topi flet për situatën e menaxhimit të COVID-19

Ish-presidenti i Republikës, Bamir Topi ka folur për menaxhimin e situatës së COVID-19, në Shqipëri, duke theksuar se kurba rritëse e ditëve të fundit nuk i duket aspak normale.

Në një intervistë për “Kjo Javë” në News 24, Topi u shpreh se kryeministri Rama ka marrë kompetencat e grupit të ekspertëve. Ai thotë se e trishton fakti që duke mos parë asnjë lloj debati profesional duket sikur po abuzohet në funksion të ngjarjeve politike.

“Nuk më duket normale kurba. Më duket jo normale dhe kam të drejtën të them se prononcimet nuk janë aspak profesionale. Duke mos parë asnjë lloj debati profesional duket sikur po abuzohet në funksion të ngjarjeve politike dhe kjo më trishton shumë.

Ta fusësh popullin në psikoze kur epidemia është në një kurbë rënie, madje është në fundin e saj dhe unë jam shprehur mbi bazën e shumë të dhënave shkencore, por edhe asaj që ka lidhje me imunitetin, jemi në fazën kur virulenca e këtij virusi është e dobët dhe mendoj se njerëzit duke lëvizur fitojnë imunitetin.

Në fazën e dytë, Rama e ka interpretuar politikisht situatën, por edhe nga pikëpamja shkencore ka marrë përsipër kompetenca të grupit të ekspertëve.

Duhet të dëgjohej zëri i mjaftë shkencëtarëve që mund të mos ishin në komiteti, por duhet të kishin folur, ose kanë folur por nuk janë dëgjuar sa duhet.

E ka dobësuar Ramën kjo epidemi?

Nuk duhej epidemia për të kuptuar që Rama i kishte të gjitha pushtetet. Sot arriti të administrojë gjysmën e dytë të trajtimit të epidemisë”, tha ish-Presidenti./BW