.

“Italia, nuk është lista e zezë”/ Luigi Di Maio: Presim turistë, mos na trajtoni si pacientë!


Pas rihapjes së kufijve midis vendeve të BE-së në mënyrë të shpërndarë dhe mbi baza preferenciale, ka reaguar edhe Ministri i Jashtëm italian Luigi Di Maio.

Ai tha se “nëse dikush mendon të na trajtojë si Lazzaretto (spital ku dikur mbaheshin pacientë me sëmundje infektive) duhet ta dijë se ne nuk do të mbetemi të palëvizshëm. Unë e kuptoj konkurrencën midis shteteve, por me kushtin që ajo të jetë e shëndetshme dhe e drejtë”.

Di Maio tha gjithashtu se Italia ka bukuritë unikale dhe nuk ka rivalë për këtë. Ministri i Jashtëm Luigi Di Maio tha se do të jetë në një mision në Gjermani më 5 qershor, në Slloveni në 6 qershor dhe në Greqi në 9 qershor.

“Unë do t’u shpjegoj kolegëve të mi se Italia është e gatshme të presë turistë të huaj nga 15 qershori dhe se ne do të veprojmë me transparencën maksimale. Situata e brendshme, të gjitha të dhënat për infeksionet, do të jenë gjithmonë publike.

Ne nuk e pranojmë “listën e zezë” dhe nuk kemi asgjë për të fshehur, përkundrazi. Ne gjithmonë kemi vepruar me përgjegjësi dhe transparencë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”.

Duke filluar nga 3 qershori Italia heq karantinën për udhëtarët nga zona e Shengenit dhe Britania e Madhe. Për pjesën tjetër të qytetarëve evropian, ky detyrim do të bjerë duke nisur nga 15 qershori.