.

“Vetëm mazhoranca mund të vrasë reformën në drejtësi”- Besnik Mustafaj: Diplomatët e huaj mbyllin sytë pasi e dinë që Rama…


Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë Besnik Mustafaj i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24” deklaroi se shoqëria shqiptare asesi nuk duhet të tolerojë të keqen.

“Ne duhet të kemi një shoqëri që nuk pajtohet me të keqen. Jemi shoqëri ose e trembur ose e fjetur. Protesta është shkolla nga duhet të kalojë shoqëria jonë. Protesta besoj se është një formë e domosdoshme për të demonstruar se qytetari vërtetë ka forcë. Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka bërë thirrje për protesta. Protestat po i thërret shoqëria civile. Përdite ka protesta civile në rajon e botë.

Ja në Greqi kishte protesta. Sektori i turizmit në Greqi u hodh në protestë. Në Francë ka me dhjetëra protesta deri tani nga mjekë nga spitalet e rëndësishme, që thonë se qeveria nuk iu ka dhënë mbrojtjen e duhur. Kjo ndodh në kohën që mjekët francezë kanë një status më të mirë se mjekët shqiptarë, pasi këta të fundit bëhen palë me qeverinë. Protesta është formë e civilizimit”, tha Mustafaj.

Besnik Mustafaj vlerësoi se kjo qeveri mban mbi shpinë zgjedhjet skandaloze të vitit 2017.

“Qytetarët, atë pakënaqësi që kanë dhe e flasin nëpër kafe, kudo, duhet ta shprehin në rrugë. Kjo, pasi përndryshe do të kemi shprehjen që cdo popull meriton qeverinë që ka. Zgjedhjet e vitit 2017 ishin një skandal. Një shoqëri që voton për tepsinë e kryeministrit nuk meriton që të hyjë në BE. Opozita duhet që të jetë si qytetare në rrugë. Opozita duhet të reagojë se s’bën”, u shpreh Mustafaj.

Më tej, Mustafaj tha se Edi Rama po merr nën kontroll reformën në drejtësi përmes njerëzve të tij.

“Mua më duket se gjërat kanë shkuar larg tashmë dhe vështirë të kthehen pas, qoftë për teatrin. Edi Rama vazhdon të tallet. Shteti po degradon përditë e më shumë. Edhe ambasadat po reagojnë. Publikimi i mesazhit nga Meta ka qenë në rregull. Unë besoj se presidenti Meta ka komunikime me shumë diplomatë. Reformën në drejtësi Rama po e merr nën kontroll nëpërmjet njerëzve. Diplomatët e huaj e dinë se cfarë fuqie ka Rama dhe mbyllin sytë”, tha Mustafaj.

I pyetur për deklaratën e ambasadores amerikane në Tiranë Yuri Kim se disa forca duan të vrasin reformën në drejtësi, Mustafaj tha se vetëm maxhoranca mund të bëjë këtë gjë, pasi opozita nuk ka asnjë mundësi të ndikojë.

“Nuk e di se për kë ishte drejtuar ajo që tha ambasadorja Yuri Kim. Në dorë sot për ta vrarë reformën në drejtësi e ka vetëm maxhoranca. Opozita nuk është as në parlament. Teknikisht nuk ka mundësi të ndikojë në cilësinë e reformës. Kjo sepse nuk është në tavolinë”, vlerësoi Mustafaj.

Për takimin mes ambasadores Kim e kreut demokrat Lulzim Basha, Mustafaj u shpreh se numri një i PD e ka takuar edhe më herët ambasadoren e se kjo mund të dëshmojë se të huajt po mbështesin mjaft kauza opozitare.

“Për mua, gjithcka do të jetë zhgënjim. U përshpejtua ritmi për Reformën Zgjedhore. Mesa di unë nuk është hera e parë që Lulzim Basha takon ambasadoren amerikane në Tiranë. Kjo tregon se ndërkombëtarët e shikojne gjithmonë e më shumë si alternativë opozitën”, tha Mustafaj.

Në fund, i pyetur për videon e bërë nga drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, që thoshte se policët që ushtruan dhunë ndaj një të mituri nuk kanë aq faj, duke treguar pamje sikur nëna e djalit ishte me armë në dorë, Mustafaj tha se kryepolici i Shqipërisë meriton të shkarkohet nga detyra.

“Kjo video tregon se drejtori i Policisë ka gënjyer përpara Komisionit të Sigurisë. Kjo gënjeshtër bie ndesh me detyrimet që ka. Ai nuk ka ndjerë asnjë keqardhje. Ka bërë një lidhje që nuk ekziston mes një të mituri dhe nënës. Për mua kjo duhet të shoqërohet në mos me dorëheqjen e kryepolicit të Shqipërisë, Felaj duhet të kërkojë tek Rama që të largojë Ardi Veliun nga detyra që ka. Nëse nuk e bën Felaj, duhet ta bëjë Alban Zeneli. Ky komision nëse nuk bën këtë gjë, do ishte e rëndë nga ana juridike”, përmbylli Mustafaj./BW