.

Së shpejti nis transporti urban/ Ja masat e reja, çmimi dhe numri i qytetarëve që lejohen brenda autobusit

Kreu i shoqatës së transportit urban Rixhin Qosja ka qenë i ftuar në emisionin “Ditë e Re në RTV Ora, ku ka folur më gjatë se kur do rifillojë transporti urban, si do funksionojë dhe masat që do merren.

A ka ndonjë plan që ka dalë se kur do hapet transporti?

Qosja: Konkret jo, Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës janë në kontakte për të gjetur këto modalitetet e fundit, për protokollin e sigurisë, për mënyrën e operimit, skemën financiare që do funksionojë ky shërbim sepse është shumë e rëndësishme dhe unë shpresoj të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur. Një datë fikse nuk di ta them për momentin, por diskutohet për ditët e fundit.
Masat e sigurisë

Ne jemi munduar të adaptojmë ato protokolle sigurie që ka bërë edhe Europa dhe Kosova. Në një mjet transporti publik nuk do qarkullojnë dot më shumë se 25 ose 30 persona në të njëjtën kohë.

Në një mjet urban që është 12 metra i gjatë qëndrojnë ulur dhe në këmbë 100 pasagjerë, ndërsa tani mendohet të reduktohet në 25-30.

Duhet distanca rreth 1 metër  nga njëri tek tjetri si në vendet ulur ashtu edhe në këmbë, do vendosen disa sinjalistika në dysheme.

Çmimi

Të vetmen gjë që nuk e kemi kërkuar është rritja e çmimit. Sepse edhe po të rritet çmimi nuk do mund ta kompesojë dot humbjen që ne do gjenerojmë nëse dalim në punë si normalisht. Sepse të transportosh 30% të kapacitetit do të thotë që është humbje çdo ditë. Kështu që ne kemi kërkuar disa mënyra të tjera për të bërë që ky shërbimi të mbijetojë.

Ne kërkojmë mbështetje financiare si nga Bashkia e Tiranës si nga qeveria që ne të arrijmë të mbijetojmë nga kjo situatë. Nuk po flasim për fitime, por ne duhet të mbijetojme në mënyrë që shërbimin ta ofrojmë dhe për më tepër edhe për stafin tonë që janë 1500 veta në Tiranë që janë pa punë.

Si do të selektohet qytetari për të marrë autobuzin?

Qosja: Këto janë detaje për t’u përcaktuar, por ne duhet të jemi të gjithë të përgjegjshëm që ditët kur do hapet transporti nuk duhet ta përdorim urbanin për shëtitje, por për shërbime esenciale që na duhen.

Do të ketë një faturino që do të marrë paratë?

Rixhin Qosja: Me faturinon në mjet është e pamundur që të mbajë distancën e sigurisë. Do diskutohet, do dalin në një rezultat patjetër. Një shembull është që faturino qëndron tek shoferi në një vend fiks, dera e parë është e papërdorshme që stafi të mos ketë kontakt të afërt me pasagjerët.

Mund të bëhet një kaos?

Rixhin Qosja: Nuk e besoj, në Prishtinë për shembull po funksionon shumë mirë.