.

Nxori lëpirëse në Parlament, Byroja e Kuvendit përjashton me 10 ditë deputetin e opozitës së re

 

Byroja e Kuvendit ka përjashtuar me 10 ditë deputetin e opozitës së re, Ralf Gjonin.

Sipas Byrosë së Kuvendit, Gjoni ka shkelur rregulloren në sjellje, pasi në seancën e fundit parlamentare nxori lëpirëse në foltoren e Kuvendit, ndërsa iu drejtua maxhorancës me fjalët: “Meritoni vetëm lolipop”.

“Çdo komb krenohet me historinë e tij. Kopenhagu mbrojti portin e Peshkatarëve të vjetër. Godina të vjetra janë, si kolibe lepujsh duken nga brenda. I kanë mbajtur, i kanë ruajtur, i kanë promovuar, mburren me to. Çfarë lloj speciesh jeni mor? Nuk e kuptoj! A ka një socialist që ka një copë shpirt për Tiranën? Çfarë jeni? Lëpirësa lolipopi! Po, po lëpirësa jeni. Ju meritoni vetëm lolipop”, u shpreh Gjoni.

I menjëhershëm ishte reagimi i Kreut të Kuvendit Gramoz Ruçi, i cili tha se Gjoni ka të drejtë t’i mbajë lëpirëset në xhep ose në gojë është e drejta e tij, por ato që nxori nga goja janë në kundërshtim me etiken dhe rregulloren.

“Ndaç në xhep ndaç mbaji në gojë është e drejta jote. Unë korrigjoj çfarë nxjerr nga goja, jo çfarë fut. E ato që nxore nga goja janë në kundërshtim me etiken dhe rregulloren. Të kujtoj që koha e debatit është për veprimtarinë vjetore të KQZ, nëse ke gjë vazhdo, nëse do vazhdosh ashtu do të ndërpres fjalën”, tha Ruçi./Panorama