.

‘Nëse do kthehesha pas nuk do e bëja’- Rama kërkon falje dhe tregon se për çfarë është penduar

Kryeministri Edi Rama deklaroi në atë që e quajti komunikimin e fundit në lidhje me pandeminë e COVID 19, se Shqipëria është sot një histori suksesi dhe një gjë të tillë e tregojnë rezultatet.

Në këtë pikë, ai tha se po të kthehej pas të shihte tek gjërat që ka bërë gabim, nuk do t’i kishte kthyer përgjigje komenteve fyese në Facebook. E duke u ndalur tek rrjetet sociale, Rama iu kërkoi ndjesë atyre që mund të ketë lënduar.

“Gazrat e fodullëkut opozitar i mori era, ajo që mbetet sot është e shënuar në historinë e përbashkët të kësaj kohe fatkeqësie për njerëzimin është rezultati, bilanci, të cilin brrockullat e të paditurve nuk e zhbëjnë dot. Asgjë, asnjëherë nuk është e përsosur, asnjë qeveri dhe asnjë lider s’ka shmangur dhe s’mund të shmangin dot vendime të gabuara, kritika apo masakrime publike për një vendim të caktuar, sidomis në kushte si këto kur koha nuk pret. Edhe më të lavdishmit po të ngjalleshin edhe njëherë, jo me të zakonshmit si unë, po të kthëheshin pas do gjenin gjëra për të mos u përsëritur. Nuk e kam analizën e kësaj faze me skuadrën por nëse do kthehesha pas nuk do iu përgjigjesha më komentatorëve brutal në faqen time”,- tha ai.

Kryeministri shtoi se, “Nuk di ta bëj këtë punë pa pasion, gjak, për bindjet e mia dhe të vërtetat e mia. I mbroj ato me forcë. Për shumëkënd mund të duket arrogancë, por ajo që di me siguri është se unë nuk vras, vjedh shantazhoj, shpif, nuk zdërhallem për qejfet e mia rrugëve të botës, unë nuk punoj për të jetuar por jetoj për të punuar. Sikur mos e shifja këtë si mision për të ndihmuar sa më shumë njerëzit, kuruar sa më shumë nga plagët këtë vend, s’do e duroja dot lukuninë e faunës dhe xhunglës sonë mediatike. S’kam lindur në kallëp politikani dhe as do vdes, s’dua të jem politikani as kryeministri tipik…jam nisur vetëm nga qëllimi i mirë, për të mbrojtur bindjen e qeverisë dhe aspak për të lënduar ndokënd. Nëse dikush është lënduar i kërkoj ndjesë nëse, nuk u ndje mirë nga komunikimi pa dorashka”.