.

Reforma zgjedhore/ Vasili publikon letrën: Rifreskim kujtese për ca ndërkombëtarë!


Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili përmes një reagimi në Facebook ka sjellë në vëmendje të ndërkombëtarëve faktin se për dy muaj e gjysmë ishte Partia Socialiste ajo që e bllokoi reformën zgjedhore.

Vasili ka publikuar letrën që së bashku me përfaqësuesin e PD-së, Oerd Bylykbashi i ka dërguar përfaqësuesve të PS-së disa javë më parë për të marrë pjesë në reformën zgjedhore.

STATUSI I PLOTE
Rifreskim Kujtese per ca nderkombetarë!!!
Kur Edi Rama dhe Rilindja bllokoi per plot dy muaj e gjysem Reformen Zgjedhore vetem kembengulja e opozites beri qe keshilli politik te rifillonte punen per reformen zgjedhore.
As Rilindja e Asnje nga nderkombetaret nuk e vune ujin ne zjarr per reformen zgjedhore per plot 2 muaj e gjysem.
Letra e z.Bylykbashi dhe imja ne 6 maj imponuan fillimin e procesit, vendosjen e axhendes dhe afateve.
Ndaj ca nderkombetareve po jua freskoj pak memorjen duke publikuar serish letren e dates 6 maj, sepse entuziazmi artificial i tyre sot per mbledhjen e radhes se Keshillit Politik eshte pa kuptim, perkundrejt heshtjes se tyre ndaj zvarritjes dhe taktikes se qellimshme per votim te njeanshem te Reformes nga rilindja.
Letra 6 Maj 2020.
Kërkesë për mbledhjen e Grupit të Punës së Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore
Drejtuar: Z. Damian Gjiknuri
Znj. Rudina Hajdari
Adresa: Kuvendi i Shqipërisë,
Bul. “Dëshmorët e Kombit”, Tiranë
Z.Gjiknuri,
Znj. Hajdari,
Në media jemi njohur me nisjen nga ana juaj të një debati pa sens praktik dhe logjik, duke vënë kështu në dyshim vijimin e punës së Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore.
Opozita ka qenë dhe mbetet e angazhuar për përmbushjen e këtij kushti për hapjen e negociatave me BE dhe për t’i siguruar qytetarëve shqiptarë mundësinë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ky ka qenë angazhimi ynë i përditshëm, duke i vlerësuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme si themelin e demokracisë, dhe procesin e integrimit europian si prioritet kombëtar.
Që nga krjimi i Këshillit Politik, opozita ka qenë e angazhuar në mënyrë konstruktive në Tryezën e Punës, duke bërë propozime dhe duke ofruar zgjidhje për problemet e evidentuara ndër vite nga Misionet Vëzhguese të OSBE/ODIHR.
Puna në Këshill, sikurse jeni në dijeni, u ndërpre për shkak të emergjencës shëndetësore të krijuar nga epidemia e COVID-19. Nga momenti i ndërprerjes për këtë shkak, nuk ka patur asnjë kërkesë apo ftesë për rinisjen e punës nga ana juaj.
Deklaratat nga ana juaj për një reformë jokonsensuale dhe të njëanshme synojnë krijimin e ngërçeve politike artificiale që dëmtojnë konsensualitetin e Reformës Zgjedhore dhe janë shpenzim energjish i kotë në dëm të përmbushjes së një prej kushteve të vendosura nga BE për hapjen e negociatave për antarësim.
Bllokimi i punës për Reformën Zgjedhore në fakt është një sjellje e hershme e Qeverisë. Është rasti i paprecedentë që mazhoranca parlamentare nuk ka arritur të krijojë kushtet për pasqyrimin e rekomandimeve të ekspertëve të OSBE/ODIHR për gati 7 vite.
Ashtu sikurse është e paprecedentë që ne ende nuk kemi asnjë përgjigje zyrtare nga ana juaj për propozimet e bëra nga ana jonë në mbledhjet e Këshillit Politik për gati 2 muaj.
Pavarësisht mungesës së përgjigjes nga ana juaj për propozimet tona, duke qenë se ne mbetemi të angazhuar, jo për fjalë apo debate pa vlerë, por për përmbylljen sa më parë të Reformës Zgjedhore, duke siguruar implementimin e Rekomandimeve të OSBE/ODIHR për standardet demokratike të zgjedhjeve:
KËRKOJMË NGA ANA JUAJ:
Konfirmimin për të zhvilluar mbledhjen vijuese të Grupit të Punës së Këshillit Politik, ditën e diel, datë 10.05.2020, ora 11:00 ose ditën e hënë, datë 11.05.2020 ora 10:00, me këtë rend dite:
Riskedulimin e kalendarit të punës së Këshillit Politik, duke synuar përmbylljen e punës brenda datës 31 Maj 2020.
Vlerësimin e përfaqësuesve të maxhorancës mbi propozimet e deritanishme të opozitës të bëra në mbledhjet paraardhëse të Këshillit Politik.
Çështje të tjera të propozuara nga anëtarët e tjerë të Këshillit Politik.
Mbledhja të zhvillohet në kushtet e sigurisë të diktuara nga epidemia e COVID-19, duke respektuar të gjitha kërkesat e autoriteteve shëndetësore që garantojnë jetën dhe shëndetin e të gjithë pjesëmarrësve në mbledhje.
Mbetemi në pritje të konfirmimit nga ana juaj!
PËRFAQËSUESIT E OPOZITËS NË KËSHILLIN POLITIK:
OERD BYLYKBASHI PETRIT VASILI

 

/BW