.

Propozimi nga Zelanda e Re: Pas pandemisë, qytetarët duhet të punojnë 4 ditë në javë

Pas pandemisë, disa vende po mendojnë që qytetarët të punojnë katër ditë në javë.Ideja ka ardhur fillimisht nga kryeministrja e Zelandës së Re Jacinda Ardern, e cila ka hedhur për miratim një ligj që i detyron të gjitha bizneset të punojnë me katër ditë në javë.

Ajo është e bindur se të gjithë punonjësit, përveç atyre thelbësorë, si mjekët dhe policët, nuk duhet të punojnë më shumë se katër ditë në javë jo vetëm për të frenuar pandeminë, por edhe një mënyrë për të rritur turizmin brenda vendit.

Në një video live në Facebook, Ardern tha që njerëzit kishin nevojë për një javë më të shkurtër pune dhe më shumë pushime, si një mjet për të stimuluar ekonominë dhe për të inkurajuar turizmin vendas.

Shumë qytetarë nga Zelanda e Re thanë që ata do të udhëtonin më shumë brenda vendit nëse do të kishin më shumë fleksibilitet në punë. Turizmi në të gjithë globin ka pësuar një rënie masive pas pandemisë, për shkak të mbylljes së kufijve.

Kjo strategji po konsiderohet edhe nga Australia, Singapori dhe Koreja e Jugut. Deri më tani, pjesa më e madhe e bizneseve nuk kanë dalë kundër. Andre Barnes, themeluesi i një biznesi me më shumë se 200 njerëz në Zelandë të Re, ishte i pari që aprovoi javën me katër ditë pune në vitin 2018.

Barnes thotë se ky ndryshim i bëri punonjësit e tij më të lumtur dhe më produktivë dhe tha se puna katër ditore gjithashtu kishte përfitime për shëndetin mendor dhe fizik, mjedisin, jetën familjare dhe sociale dhe ndryshimin e klimës.

“Zelanda e Re duhet të kalojë patjetër në një javë katër-ditore pune, pas Covid-19. Kjo do të ishte një strategji për të rindërtuar ekonominë dhe veçanërisht tregun e turizmit”, tha Barnes.

Ai shprehet se në këtë mënyrë, edhe pandemia mund të mbahet nën kontroll.Java e 4 ditëve është një mjet për të mbrojtur shëndetin e punëtorëve në çdo aspekt, duke e bërë këtë model gjithnjë e më të rëndësishëm për botën e re në të cilën gjendemi”, thotë ai. “Një faktor i rëndësishëm janë edhe problemet e përhapura të shëndetit mendor,” tha Barnes.

Dhjetëra mijëra qytetarë në Zelandën e Re kanë shfaqur shenja ankthi dhe depresioni gjatë periudhës së bllokimit dhe mijëra kanë marrë pushime për shkak të këtyre simptomave edhe pas hapjes së ekonomisë./GazetaSi