.

“Na mjaftojnë kujtimet e kazmave të komunizmit”, Presidenti Meta reagon sërish kundër vendimit për shembjen e Teatrit Kombëtar

Presidenti i Republikës, Ilir Meta nëpërmjet një postimi në facebook, ka reaguar sërish kundër vendimit për shembjen e Teatrit Kombëtar.
Teksa sjell pamjet e Xhamisë Kubelie në Kavajë që provoi kazmën e regjimit diktatorial në vitin e zi 1967, si shumë objekte të tjera kulti, Presidenti Meta bën thirrje për të qenë më të ndërgjegjshëm për të mbrojtur trashëgiminë kulturore dhe historike të vendit tonë.

“Na mjaftojnë kujtimet e hidhura të kazmave të komunizmit!” shkruan Presidenti, ndërsa thekson se “çdo humbje është jo vetëm e parikuperueshme por edhe një cenim i identitetit tonë kombëtar, që nuk duhet lejuar të ndodhë më”.

“Xhamia Kubelie në Kavajë e ndërtuar në vitet 1700 është një prej vlerave të trashëgimisë tonë historike e kulturore, që për fat të keq provoi kazmën e regjimit diktatorial në vitin e zi 1967, si shumë objekte të tjera kulti.

Fatmirësisht nga ajo masakër kanë shpëtuar disa kolona, dëshmi se si arroganca e një pushteti mund të sjellë dëme të pariparueshme në çdo kohë për trashëgiminë tonë kombëtare e kulturore.

Duhet të jemi të vëmendshëm dhe të ndërgjegjshëm për të mbrojtur trashëgiminë kulturore dhe historike të vendit tonë, sepse çdo humbje është jo vetëm e parikuperueshme por edhe një cenim i identitetit tonë kombëtar, që nuk duhet lejuar të ndodhë më.

Na mjaftojnë kujtimet e hidhura të kazmave të komunizmit!” shkruan Presidenti.