.

COVID -19 dhe Përjetimi i Zisë Kolektive!

 

Nga Bylyre Serjanaj Psikologe Klinike

Prej një muaji, jemi në një gjendje diskomforti, të panjohur më parë dhe po përballemi me humbje të vazhdueshme. Humbja e rutinës së përditshme, humbja e punës, të ardhurave, e kontaktit fizik me personat të dashur, humbja e sigurisë, e lirisë dhe e parashikimit të së ardhmes në kushte të tilla, bën të mundur që shumica nga ne të përjetojë dhe të ndjejë procesin e zisë. Procesi i zisë, sipas ekspertëve David Kessler dhe Elisabeth Kubler Ross, përfshin 5 gjendje: Mohimi; Inati; Trishtimi; Marrëveshja dhe Pranimi. Këto gjendje/ faza na mësojmë të jetojmë me humbjen dhe të identifikojmë atë që ndjejmë në lidhje me situatën.

Ende sot në vendin tonë, ka persona që po e mohojnë rëndësinë e këtij virusi, duke theksuar se rrezikohen vetëm të moshuarit dhe inidvidët me imunitet të dobët, kur ndërkohë deri më tani janë 16 fëmijë të prekur nga koronavirusi në Shqipëri .

Shumë janë ata që po përjetonë apo kanë përjetuar inat, me faktin se e përditshmja e tyre ka ndryshuar, se duhet të mësojnë online nga shtëpia (theksojmë këtu se jo të gjithë fëmijët, veçanërisht nëpër zonat rurale, i kanë këto kushte), disa duhet të punojnë në shtëpi, disa mbetën pa punë apo ndjenjë inati ndaj faktit se liria e tyre tashmë është e kufizuar në disa fasha orari.

çdo kush dëshiron që të rikthehet në të përditshmen e tij, ashtu siç ishte para se kjo pandemi të na përfshinte të gjithë. Disa mund të ndjejnë dhe emocionin e fajit, për mënyrën se si e kishte shfrytëzuar më parë kohën dhe sa pak rëndësi u kishte kushtuar disa gjërave, si psh të qëndruarit pranë një familjari, punës apo një shëtitje. Në këtë moment arrihet një marrëveshje me veten, fillon e negocion se si mund t’i bësh disa gjëra ndryshe.

Për disa, kjo situatë i bën të përjetojnë ndjenjën e trishtimit, duke pyetur vazhdimisht veten se sa do zgjasë, dhe çfarë do të ndodh me ta apo të afërmit e tyre gjatë kësaj periudhe. Dikush mund të trishtohet për shëndetin e një të afërmi ose dikush tjetër trishtohet me faktin se tashmë duhet të qëndrojë 24h në karantinë me dikë që i shkakton dhimbje fizike apo psikologjike. Ajo që mendohet nga shumë psikologë është se numri i divorceve do të rritet pas karantinimit dhe fatkeqësisht numri i vetëvrasjeve.

Jo të gjithë ndihen “OK” me këtë situatë, por pranojnë realitetin, mësojnë të jetojnë me norma dhe rregulla të reja. Mësojnë t’i japin kuptim sjelljeve dhe roleve të reja që ka marrë secili prej nesh duke kuptuar se është një realitet i përkohshëm, edhe pse me një ndikim të madh në jetën apo shoqërinë tonë, pasojat e së cilit do jenë të dukshme edhe pas rikthimit në normalitet.

Ajo që individi duhet të bëj për të menaxhuar këtë zi është të kuptojë se cilën nga këto gjendje po përjeton, të pranojë realitetin dhe të përforcojë mendimin se mund të kujdeset jo vetëm për shëndetin fizik nëpërmjet karantinimit por edhe të kontrollojë mënyrën e jetesës duke e bërë atë më efektive. Gjatë procesit të zisë, individi mund të mendojë më të keqen e mundshme, mund të përjetojë ankth për të ardhmen, por duhet të qëndrojë në të tashmen, të kuptojë se asgjë e keqe nuk ka ndodhur dhe ka ende gjëra rreth e rrotull për të cilat mund të ndihet pozitiv, si psh: “Unë dhe familjarët e mi jemi mirë, dhe tashmë unë kam më shumë kohë për të lexuar një libër apo për të parë një film”. Kjo është një situatë e përkohshme, dhe duhet të fokusohemi në gjërat që janë nën kontrollin tonë. Ndërkohë më e rëndësishmja është që të identifikojmë emocionet negative të procesit të zisë, mos t’i shmangim dhe të punojmë me to. Vetëm kështu arrijmë të kalojmë në një fazë tjetër, atë të përjetimit të emocioneve pozitive.

“Të shpëtosh veten nga pikëllimi mund të arrihet vetëm me çmimin e shkëputjes totale, gjë që përjashton aftësinë për të përjetuar lumturi.” – Erich Fromm