.

Në kohën e COVID-19

Nga Luljeta Cobanaj

Në këto ditë të vështira për të gjithë, duket sikur e gjithë bota ka ndaluar, dhe globi me të cilin kemi mësuar gjeografinë ka humbur rrumbullakësinë e tij, ku dhe ngjyrat me të cilat ne mundoheshim të identifikonim sa më shpejt çdo shtet, janë zbehur.
Të strukur jemi të gjithë në të njëjtin oqean, përballemi me të njëjtat dallgë.
Nga iniciativa e Milano Medical & Milano për Shqipërinë, mjekët tanë ju japin këshilla mjekësore, për Covid 19 dhe jo vetëm. Mënyrën se si të kuptohen simptomat, këshilla për ushqimin sa më të shëndetshëm, për masat mbrojtëse ndaj virusit, dhe për rëndësinë e zbatimit të rregullave, njëkohësisht dhe për probleme të tjera në lidhje me shëndetin tuaj.
Prandaj dhe unë nuk do të flas për to, siç thote nje proverb milanez “l’offelee fa il so meste” secili në zanatin e tij. Ndoshta dhe ky nuk është zanati im.

Televizorët dhe çdo rrjet social, në këtë periudhë japin lajme pa pushim, të vërteta ose pranë saj, të sajuara, mendime personale, thënie e artikuj të vjetër apo të kohës. Informacionet na vijnë nga çdo vend e nga çdo mjet në dispozicion, nuk gjykojmë dot asnjë nga to, asnjë nga ne nuk ka të drejtë te gjykojë.

Papa Francesco në “Via Crucis” në stacionin e 12-të, tha: “Zot, na mëso të mos identifikojmë personin me gabimet e tij, por të shkojmë më thellë”. Dhe kthehemi prap tek proverbi milanez, secili në zanatin e tij, të jenë të tjerë që të bëjnë gjykatësin, gjyqin dhe avokatin, “perchė si mantengono retti’. Për ne të tjerët, detyra e vetme në këtë moment është të falim, të ndihmojmë, kjo është “Misericordia di Gesù”.
Kjo është ajo për të cilën unë doja të ndalesha, lufta e brendshme që po jetojmë, e për të cilin flitet drama personale e secilit prej nesh.
Nuk flas për punën që duhet të bëjnë psikologët, dhe për të cilin grupi Milano Medical është i përgatitur, por për atë që secili nga ne përjeton në këto ditë.

Personalisht në ditët e para isha si në një ëndërr, e prisja të zgjohesha shpejt. Më pas fillon e zgjohesh, sheh numrat rreth teje që shtohen, dhe prap je në kushtet qe nuk di çfarë është ëndërr dhe çfarë realitet.
Fillojnë e mbyllen rreth teje çdo derë e çdo rrugë, treni fundit, avioni i fundit, trageti dhe autobuzi që nuk mund t’i hipesh. Dhe nuk di nëse ke shpëtuar që ngele apo jo..
Fillojnë telefonat e bien papushim, njerëz të përmalluar, pyesin si je? Ti nuk e di, asnjë nuk e di, se si jemi dhe se si jam. Ditët bëhen javë, dhe ti nga numri mesazheve që merr, kupton si është situata.

Por kjo nuk zgjat shume, fillon të reagosh e bëhesh merak për ata që ke përreth, ata qe kanë nevojë për ty, familje të vetmuara, njerëz që duan vetëm të dinë që ti je aty. Ka të tjerë që fillojnë e nuk të përgjigjen më në telefon, e ti bën telefonatat e fundit që ata të marrin ndihmën në udhëtimin e fundit.

Milano Medical, nuk është vetëm një linjë, një mesazh apo një email; është telefoni që do të përgjigjet gjithmonë ai zëri që secili nga ne do të shohë e të degjojë.
Në këto ditë, ata do përgjigjen në telefon çdo mesazhi tuaj, çdo shqetësimi tuaj dhe ne të tjerët që jemi në shtepi, ne duhet të lëmë mënjanë gjërat e vogla e të gjejmë mundesinë të ndihmojmë atë që ka më shumë nevojë, atë që nuk ka telefonin e mbushur, shtëpinë pa ushqime, prindërit të vetmuar diku, fëmijët në spitale e në vende të tjera që po vuajnë dënimet e tyre. Ne nuk jemi për të gjykuar, por për të falur, për të ndihmuar që secilit nga ne mbajtja e kryqit në shpatulla t’i bëhet më e lehtë.

“O Zot, thotë Papa në lutjen e tij, na ndihmo me praninë tënde të bëjmë çdo ditë një zgjedhje të duhur” Milano Medical do të jetë me ju në çdo moment, e së bashku me ju do të jetë me ata qe nuk dinë të qajnë e as të kërkojnë, por kërkojnë një ndihmë, të cilin ne nuk duhet ta injorojmë, të jemi afër atyre që po vuajnë, të lehtesojmë dhimbjen e tyre edhe atëherë kur ngjan e vështirë për t’u bërë.
Sikurse 30 vjet më parë, të gjithë jemi në një anije, me te vetmen dëshirë të mbërrijmë në breg, të kalojmë detin që ka humbur kaltërsinë e tij në këto ditë të turbullta.

Gëzuar Pashkët nga i gjithë stafi i Milano Medical!
Milanomedical.eu