.

Dita Botërore e Shëndetit/ Manastirliu thirrje qytetarëve: Të gjithë këtyre luftëtarëve iu kemi një borxh të madh, ndaj respektoni masat

Në Ditën Botërore të Shëndetit, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka vlerësuar mjekët, infermierët dhe të gjithë punonjësit e shëndetësisë, në përballjen me COVID19.

“Dita Botërore e Shëndetit i gjen infermierët, mjekët, punonjësit tanë të shëndetësisë në vijën e parë të fronit me këtë armik të rrezikshëm. Një armik që me sy nuk duket por që shumëkujt në mbarë botën po ua merr njerëzit e dashur mu përpara syve. Sot, mirënjohja e të gjithëve shkon për ata që mbi përparësen e bardhë veshin çdo ditë armaturën mbrojtëse ne betejën e rradhës në emër të jetës”, thotë Manastirliu.   Duke u shprehur se në spitalin Infektiv dhe atë “Shefqet Ndroqi” në Tiranë po bëhet një punë e jashtëzakonshme, Manastirliu bën thirrje për të gjithë qytetarët të respektojnë masat e vendosura, në mënyrë që t’ua shlyejmë sadopak borxhin që u kemi mjekëve dhe infermierëve, për t’u lehtësuar punën.
“Të gjithë këtyre luftëtarëve ne u kemi një borxh të madh. Një borxh që në këtë kohë të vështirë që po jetojmë mundemi t’ua shlyejmë pak e nga pak duke u’a lehtësuar mundin përballë sëmundjes, duke respektuar rregullat dhe duke u bërë bashkë aleatë besnikë të mjekëve dhe infermierëve tanë të mrekullueshëm”, mbyll videon falenderuese Manastirliu.