.

Studimi:‘Pasaportat e imunitetit’ mund të na kthejnë më shpejt në normalitet

“Pasaportat e imunitetit” mund të jenë një mënyrë e mirë për të kthyer në punë pa rrezik profesionistët dhe punonjësit me rëndësi të veçantë që e kanë kaluar koronavirusin. Plani u sugjerua nga shkencëtarët dhe politikanët e Mbretërisë së Bashkuar.

Studiuesit në Gjermani po përgatisin një sondazh masiv për të përllogaritur sa njerëz janë imunë ndaj virusit të Covid-19, që do t’i lejojë autoritetet t’i përjashtojnë këta njerëz nga kufizimet e vendosura.

Studimi, i cili ndodhet në fazën e financimit, konsiston në testimin e gjakut të 100 mijë vullentarëve për antitrupa koronavirusi. Testi më pas përsëritet në intervale të rregullta në një mostër më të madhe të popullsisë për të gjurmuar progresin e pandemisë.

Rezultatet e studimit gjerman do ta bëjnë më të thjeshtë përcaktimin e periudhës së rihapjes së shkollave dhe identifikimin e personave që mund të kthehen në punë pa rrezik.

“Atat që janë imunë mund të pajisen me një farë leje vaksinimi për t’i përjashtuar nga kufizimet e vendosura,” tha Gerard Krause, kreu i epidemiologjisë në Helmholtz Centre for Infection Research në Braunschweig. Qeveria gjermane nuk ka komentuar ende në lidhje me propozimin e një certifikate të kësaj natyre.

Dr. Philippa Whitford, deputete e Scottish National Party dhe ish kirurge, tha se mund të përdoren pasaporta imuniteti për punonjësit me rëndësi të veçantë në Mbretërinë e Bashkuar, por shpërndarja e tyre në gjithë vendin do të jetë e vështirë prej administrimit që nevojitet.

Sidoqoftë, ekspertët janë të shqetësuar se mos dhënia e këtyre pasaportave do të nxisë grupe specifike, si për shembull të rinjtë që s’kanë mundësi financiare, të infektohen qëllimisht me shpresën se do të fitojnë imunitet. Kështu, mund të kthehen në punë pasi të shërohen.

Burimi: The Guardian