Kryeministri Edi Rama ka përcjellë në Rinas 30 mjekë dhe infermierë për në Bergamo të Italisë për të ndihmuar personelin shëndetësor italian në përballjen ndaj koronavirusit.
Rama shprehet se kjo është gjëja e duhur që po bën Shqipëria dhe shenjë solidariteti se pavarësisht se nuk jemi të pasur, shqiptarët nuk e harrojnë mikun në vështirësi.
Po ashtu kryeministri shprehet se kjo është luftë e përbashkët dhe nuk fitohet vetëm dhe Shqipëria nuk mund të mbante forcat rezervë kur në Itali ka shqiptarë të ‘plagosur’ nga armiku.
”E di se 30 mjekë nuk e përmbysin raportin. Por di që edhe andej është shtëpia jonë që ku Italia, motrat dhe vëllezërit italianë na pritën kur Shqipëria digjej nga dhimbjet e papërshkrueshme.
Ne po luftojmë me të njëjtin armik të padukshëm dhe mjetet nuk janë pakufij. Por nuk mund të mbajmë forcat rezerva kur në Itali po kurohen dhe shqiptarë të plagosur nga armiku dhe që kanë nevojë për ndihmë.
Sot jemi të gjithë italianë. Italia duhet dhe do ta fitojë luftën edhe për ne edhe për gjithë Europën e botën.
Zoti ju bekoftë të gjithëve.”- tha Rama.