.

“Gati të ngremë një spital karantinë për raste jo të rënda” – ministrja Manastirliu: Struktura e re nis të përshtatet brenda 20 ditëve

 

“Po bëjmë gati të ngremë një strukturë të re, një spital karantinë për rastet jo të rënda”, kështu deklaroi ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë konferencës online të qeverisë.

Ministrja Manastirliu u shpreh se është bërë një vlerësim për një objekt që po shqyrtohet për ta kthyer në një strukturë spitalore bazë për ata pacientë, të cilët do të kenë nevoja të trajtimit jo specialistik.

Manastirliu tha se po bëhen të gjitha vlerësimet për të pasur një strukturë tjetër që do të rehabilitohet për të ofruar shërbim për pacientët e prekur me COVID-19, nëse tejkalohen skenaret e parashikuar.

“Kemi bërë sot një investigim në vendin ku mendojmë dhe besojmë të jetë ky objekt i cili do t’i nënshtrohet edhe një rehabilitimi dhe më pas edhe një plotësimi të nevojave bazë, me mobilimin spitalor dhe me aparaturat bazike që ne vlerësojmë për të pasur së afërmi dhe për të përballuar fluksin për ata pacientë që nuk do të jenë në gjendje të rëndë”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë bëri me dije që synohet brenda 20 ditësh të fillojë përshtatja e strukturës së identifikuar, në spitalin e ri, teksa shkoi se ky spital konsiderohet skenar i katërt në rendin e skenareve të projektuara./panorama