.

Negociatat/ Holanda nuk jep OK për Shqipërinë: S’ka dritë jeshile. Ministri i Jashtëm thotë se…


Holanda duket se do të bëhet sërish pengesë për Shqipërinë për të nisur negociatat për integrimin në BE.Ministri i Jashtëm holandez, Stef Blok, deklaroi dje pas përfundimit të mbledhjes së ministrave të Jashtëm të vendeve të BE-së se për Shqipërinë nuk ka ende një dritë jeshile. Blok tha se ata presin më shumë punë nga Shqipëria në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. “Qartësisht, nuk ka ende dritë jeshile për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.. Drita jeshile vjen kur të përmbushen kriteret.

Për Holandën, Maqedonia e Veriut i ka përmbushur kushtet, por për Shqipërinë presim më shumë rezultate”, deklaroi Blok. Ndryshe nga ministri i Jashtëm i Holandës, ai gjerman, Michael Roth, u shpreh se tashmë është momenti që vendet e BE-së të mbajnë premtimin për çeljen e negociatave me dy vendet. Roth vlerësoi reformat e ndërmarra nga dy vendet sa u përket luftës së krimit dhe korrupsionit.

“Tashmë vendet anëtare të BE-së duhet të marrin përgjegjësitë e tyre dhe të përmbushin premtimin tonë për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Po presim edhe raportet e Komisionit Europian në fillim të marsit, që do të përbëjë një bazë të mirë për vendimmarrjen pasi, të dy vendet kanë ndërmarrë reforma të rëndësishme sa i përket luftës ndaj korrupsionit”, tha Roth.

Sekretarja kroate e Shtetit për Çështje Europiane, Andreja Metelko-Zgombiæ, tha se qëllimi i presidencës është hapja e negociatave me të dyja vendet njëherësh. “Komisioni po pret tani përditësimet mbi procesin e reformave në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut. Qëllimi i presidencës është t’i hapë rrugën, mbi bazën e këtyre përditësimeve dhe metodologjisë së re, diskutimit gjithëpërfshirës me një qasje pozitive për vendimin e negociatave për këto dy vende”, tha Metelko-Zgombiæ.

Sakaq, në mbledhjen e djeshme, ministrat e Jashtëm të BE-së mbështetën metodologjinë e re të zgjerimit. Gjatë takimit në Bruksel u theksua se reforma e metodologjisë së pranimit duhet të zhvillohet paralelisht me hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Shumica e vendeve të BE-së janë kundër ndarjes së Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore.

FORMULA E RE

Pak kohë më parë, Presidenti i Francës, Emanuel Makron, tha se formula e re e zgjerimit do të jetë më efektive.

“Procesi i zgjerimit do të marrë një fokus kryesor në Samitin e Zagrebit, i cili do të mbahet në muajin maj të vitit 2020. Ky takim do të jetë një moment uniteti dhe avancimi për Europën. Ne presim që të kemi përfundime konkrete për metodologjinë e re të zgjerimit, të cilën e kemi propozuar me qëllimin që të mos vazhdojë më të jetë burokratike, por të sjellë përfitime konkrete për qytetarët e vendeve kandidate”, u shpreh Macron në fillim të janarit të këtij viti./panorama