.

A do ta ngadalësojë pranvera koronavirusin?

Shkencëtarët që po studiojnë koronavirusin e ri janë të pasigurt në temperaturat e ngrohta të pranverës do të ngadalësojnë përhapjen e virusit. Është shumë herët për të kuptuar nëse edhe ky virus do të zbehet me përfundimin e sezonit të gripit.

Familja e koronaviruseve përbëhet nga dymbëdhjetë viruse, por vetëm shtatë prekin njerëzit. Katër shkaktojnë ftohje, ndërsa të tjerët janë të rinj, vdekjeprurës dhe mendohet se janë marrë nga lakuriqët e natës dhe gamilet. Virusi i ri është etiketuar si SARS-CoV-2 dhe sëmundja që shkakton, COVID-19.

Ideja se vera mund të parandalojë një pandemi është joshëse. Viruset që shkaktojnë grip ose ftohje kanë tendencën të zbuten gjatë muajve të ngrohtë sepse këto lloj virusesh kanë “sezonalitet.” Sidoqoftë, nuk dihet me siguri nëse SARS-CoV-2 do të reagojë në të njëjtën mënyrë. Ata që po studiojnë sëmundjen thonë se studimi është ende në fazat e hershme për të kuptuar në virusi do t’i përgjigjet ngrohjes së motit.

“Shpresoj të ketë sezonalitet, por vështirë të thuhet me siguri,” tha Stuart Weston, studiues në University of Maryland, ku virusi po studiohet çdo ditë.

Deri në momentin e shkrimit të këtij artikulli, janë konfirmuar 80 mijë të infektuar në 34 shtete. Ekspertët thonë se me shumë mundësi, sëmundja do të vijojë të përhapet shkruan National Geographic.

Studiuesit e shpjegojnë përmes disa teorive kohëzgjatjen e sezonit të gripit nga tetori në prill ose mars. Disa mendojnë se është rrjedhim i hapësirave të mbyllura – për të luftuar të ftohtin, njerëzit mbyllen brenda dhe transmetimi nga njeriu në njeri bëhet më i thjeshtë.

Gjithashtu, gjatë dimrit, ajri i thatë i ndihmon viruset të udhëtojnë më gjatë dhe të mos dëmtohen teksa kalojnë nga një njeri te tjetri. Gjithashtu, ajri i thatë than mukusin e hundës që bëhet më pak efektiv në pengimin e viruseve.

Ian Lipkin, drejtor i Center for Infection and Immunity në Columbia University, thotë se drita e diellit, që është më e pakët në dimër, ndihmon në shpërbërjen e viruseve mbi sipërfaqje. “Drita ultravioletë shpërbën acidin nukleik. Në një farë mënyre i sterilizon sipërfaqet,” thotë ai.

Edhe pse koronavirusi dhe gripi janë të dy infeksione respiratore, nuk dihet ende mjaftueshëm mbi SARS-CoV-2 për të parashikuar në do të ketë sezonalitet.

Për të marrë më shumë informacion, studiuesit po analizojnë viruse të ngjashme si SARS dhe MERS. SARS, që nisi të shpërhapej në fund të 2002-shit, ka ADN 90% të ngjashme me virusin e tanishëm. Përhapja e SARS nisi në nëntor dhe zgjati deri në korrik. Mund të ketë qenë sezonal, por edhe mund të jetë ndaluar në korrik si rrjedhim i përpjekjeve njerëzore.

MERS nisi të përhapej në shtator të 2012-s në Arabinë Saudite, ku temperaturat janë në përgjithësi të larta. Në dallim nga SARS, MERS nuk u vu kurrë tërësisht nën kontroll dhe raportohen tek-tuk raste të reja. Te MERS nuk vihen re prova të pakundërshtueshme sezonaliteti.

Weston, nga University of Maryland, thotë se laboratori i tyre po punon për krijimin e një vaksine dhe për zhvillimin e trajtimeve. Sidoqoftë, vaksina mund të jetë gati për përdorim të gjerë pas një viti ose më shumë.

Sidoqoftë, epidemiologu nga Harvard, Marc Lipsitch është i mendimit se ngrohja e temperaturave nuk do ta ngadalsojë përhapjen e koronavirusit. Raste me COVID-19 janë dokumentuar në gjithë botën dhe nëse virusi është si një virus tipik gripi, do të përkeqësohet në hemisferën jugore, ku vjeshta është në ditët e para./Anabel