.

Njoftohet policia/ Meta merr hapin e radhës për protestën e 2 marsit: Qytetarët të kenë me vete lule mimoza

 

Presidenca ka bërë hapin e radhës drejt protestës së thirrur nga Ilir Meta më dy mars.

Me anë të një letre drejtuar drejtorit Ardi Veliu, Presidenca njofton Policinë e Shtetit se më 2 mars do të organizojë një manifestim në orën 17:00. Sipas Presidencës protesta do të organizohet në Bulevardin Dëshmorët e Kombit në kryeqytet.

Ndërkohë sqarohet se qëllimi i kësaj protestë paqësore është ndërgjegjësimi i shqiptarëve për të mbrojtur sovranitetin e tyre.

Kujtojmë se presidenti Meta e thirri këtë protestë që më 19 shkurt ku gjatë një konference të jashtëzakonshme thirri qytetarët që të protestojnë kundër atij që e quan “grusht shteti” nga mazhoranca, për të marrë nën kontroll Gjykatën Kushtetuese

Ndër të tjera në këtë letër thuhet se qytetarët janë të ftuar të kenë me vete Flamuj Kombëtar dhe buqeta me lule mimoze të freskëta që paralajmërojnë ardhjen e pranverës.

Punonjësit e Policisë së Shtetit, nuk janë të ftuar të marrin pjesë në këtë manifestim, ndërkohë që Presidenti i Republikës, kërkon nga ana e tyre që të marrin masat respektive për garantimin e rendit dhe sigurisë publike në datën dhe orarin e njoftuar.

Njoftimi i Presidentit:

Në mbështetjë të nenit 47, 86 pika 1, 88 pika 3, 93, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe referuar procedurave të ligjit nr. 8773, datë 23.04.2001 “Për tubimet”, ju informojmë zyrtarisht se, SH.T.Z. Ilir Meta, në ushtrim të përgjegjësive dhe kompetencave të Tij kushtetuese si President i Republikës, do të organizojë një manifestim paqësor me qytetarët shqiptarë ditën e hënë në datë 2 mars 2020, ora 17:00, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” Tiranë.

Qëllimi i këtij manifestimi paqësor është ndërgjegjësimi dhe zgjimi i qytetarëve shqiptarë për të mbrojtur dhe rivendosur sovranitetin e tyre mbi të gjitha institucionet e Republikës, të drejta këto, të garantuara nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe parimeve themelore të njohura prej saj.

Një prej qëllimeve të këtij manifestimi është nënshkrimi nga Presidenti i Republikës përpara sovranit (popullit), të dekretit të parë kundër grushtit të shtetit që kërkon të realizojë Kuvendi njëpartiak në dhunim të Kushtetutës me qëllim kapjen në mënyrë antikushtetuese të institucionit më të rëndësishëm të Republikës, Gjykatës Kushtetuese.

I gjithë ky ndërgjegjësim do të realizohet përmes mesazheve paqësore publike që Presidenti i Republikës do të japë në këtë manifestim.

Motoja e këtij manifestimi me qytetarët do të jetë: “Për Republikën; Për Kushtetutën; Për Kombin; Për unitetin e popullit”.

Sa më sipër, në zbatim të nenit 5 të ligjit të sipërcituar, ju bëjmë me dije se:

Drejtues i këtij manifestimi paqësor është SH.T.Z. Ilir Meta, me adresë Institucioni i Presidentit të Republikës, Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 1, Tiranë. Organizator dhe persona kryesor ndihmës të këtij manifestimi, do të jenë zoti 1. Zoti Bahri Shaqiri, Këshilltar i Presidentit, 2. Zoti Dedë Prenga, Këshilltar i Presidentit, 3. Zoti Shemsi Premçi, Këshilltar i Presidentit, me adresë Institucioni i Presidentit të Republikës, Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”.
Aktiviteti do mbahet më datë 2 mars 2020, ora 17:00 në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe është i hapur.
Numri i pjesëmarrësve është jashtë çdo parashikimi.
Numri i personave të tjerë ndihmës në këtë manifestim është në varësi të kontributit të secilit qytetar që do të shprehë dëshirën dhe angazhimin për të marrë pjesë.
Qytetarët janë ftuar të kenë me vehte Flamuj Kombëtar dhe buqeta me lule mimoze të frekëta që paralajmërojnë ardhjen e pranverës Kuq e Zi për të gjithë shqiptarët e bashkuar kudo janë.
Në këtë organizim do të mbajë fjalën e tij Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta dhe personalitete të spikatura publike që dëshirojnë të përcjellin mesazhe, frymëzuar nga motoja e këtij manifestimi, por jo politikan, dhe as ushtarakë aktivë.
Punonjësit e Policisë së Shtetit, nuk janë të ftuar të marrin pjesë në këtë manifestim, ndërkohë që Presidenti i Republikës, kërkon nga ana juaj që të merrni masat respektive për garantimin e rendit dhe sigurisë publike në datën dhe orarin e njoftuar.

/Top Channel/