.

Coronavirusi rrezikon të mbajë peng Serie A, 4 ndeshje do luhen pa tifozë

Në një kohë kur Serie A është në emergjencë totale duke mbyllur dyert për këtë fundjave, alarmi bie dhe në Spanjë, nga ku vjen një lajm që vë në pikëpyetje ndeshjen e kthimit në Champions League, Valencia-Atalanta. E përditshmja spanjolle Marca i ka kushtuar faqen e parë këtij virusi që po tremb të gjithë botës dhe pikëpyetjeve që lidhen më këtë sfidë:

“Nuk e dimë me siguri nëse lojtarët e Atalantas mund të lëvizin dhe të vinë në Valencia. Bergamo është në Lombardi”, shpjegon zëvendës presidenti i Epidemiologjisë në Valencia. “Nga këtu deri më 10 mars ka ende shumë kohë, nuk e dimë se si do të evoluojnë gjërat, nuk e dimë me siguri nëse do të mund të udhëtojnë dhe të vinë këtu”.

Ky lajm i publikuar nga Marca, ka trazuar jo pak Bergamon, duke vënë ndjeshëm në pikëpyetje këtë sfidë që aq shumë prisnin. Në pritje të 10 marsit, Italia duhet të bëj llogaritë me coronavirus që rrezikon të mbajë peng Serie A.

Sipas “TuttoSport”, jo vetëm Juventus-Inter dhe 4 sfidat e tjera në këtë fundjave do të luhen me dyer të mbyllura por dhe Juventus-Milan, ndeshja e kthimit në gjysmëfinalet e Kupës së Italisë, në program për të mërkurën e ardhshme, rrezikon gjithashtu të luhet më dyer të mbyllura, në një kohë kur situata nuk po përmirësohet. Vendimi pritet të merret në ditët në vijim por ndjesia është që dhe ky takim të luhet pa tifozë.