.

Meta ka të drejtë, por jo nga kostumi i Presidentit

 

Nga Mustafa Nano
Maxhoranca e majtë po bën përpjekje për ta anashkaluar rolin e Presidentit në procedurën e zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, që sipas Kushtetutës, i takojnë Presidentit t’i zgjedhë, emërojë dhe t’i dekretojë. Kjo është një përpjekje që ata bëjnë për të marrë nën kontroll këtë institucion, që është një institucion shumë i rëndësishëm, dhe shqetësimi i Presidentit Meta është i drejtë. Prandaj, maxhoranca duhet të heqë dorë nga tentativa të tilla. Ajo që po kërkon Presidenti, është përtej kufijve të logjikës, përtej kufijve të arsyes, madje përtej të kufijve të imagjinatës. Ai ka zbuluar dhe po denoncon një grusht shteti në Shqipëri, që po zhvillohet para syve tanë, sipas atij.

Me grusht shteti, sipas të gjithë përkufizimeve, ne duhet të kuptojmë një përpjekje të pak njerëzve, të një pakice me qëllim për të rrëzuar pushtetin legjitim të një shumice dhe nuk mund të kuptojmë përpjekjet që mund të bëjë një shumicë për t’i rritur më shumë fuqitë vetes, ky është grushti i shtetit. Ndërsa Presidenti Meta mund të ketë një përkufizim tjetër për grushtin e shtetit në kokë, prandaj është duke denoncuar një grusht shteti fantomatik, është vërtet një grusht shteti fantomatik. Prandaj ai u bën thirrje shqiptarëve që në datën 2 mars të mblidhen të gjithë dhe të dalin në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe të prirë nga Presidenti i Republikës (kjo është një gjë e paprecedentë që Presidenti të dalë dhe të organizojë protestë), ata të përpiqen të frenojnë këtë “grusht shteti”. Më e rëndësishmja dhe më qesharakja, qytetarët duhet t’i thonë jo dhe duhet t’i vënë kufirin çdo përpjekje të mafias ndërkombëtare për të marrë nën kontroll vendin tonë. Presidenti Meta ka lënë të nënkuptohet se me datën 2 mars do të bëhet nami në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, sepse qytetarët do të marrin në dorë institucionet.

Për mua, Presidenti i Republikës ka dalë nga binarët kushtetues, në asnjë faqe apo rresht të Kushtetutës, Presidentit nuk i njihet e drejta, detyrimi apo atributi për të mbrojtur apo ruajtur Kushtetutën. Presidenti është bërë njësh me njërën palë. Ai ka marrë një funksion të qartë opozitar, ai është bërë një politikan ekstremist i Kushtetutës dhe me këtë ai ka kompromentuar detyrimin kushtetues për të qenë simbol i unitetit kombëtar. Ai nuk mund të jetë simbol i unitetit kombëtar duke vjellë dhe nxjerr zjarr nga mëngjesi deri mëngjesin tjetër nga goja. Unë përsëris se shqetësimi i tij është i drejtë, por nëse zien nga ky shqetësim, ai duhet të lërë Presidencën, sepse nuk mund të bëjë opozitarin brenda Presidencës. Nëse ai vendos të bëjë opozitarin brenda Presidencës, atëherë ai bën pis funksionin e shenjtë të Presidentit. Në fakt, ai e ka bërë pis gjithmonë këtë funksion, madje e ka bërë pis që në krye të herës. Nuk e di nëse ju kujtohet kur u zgjodh President dhe pati një interval kohe në dispozicion deri në momentin që i duhej të bënte betimin si President, dhe ky interval kohe përkoi me zgjedhjet parlamentare të fundit dhe në këto zgjedhje, ne pamë Ilir Metën të sapozgjedhur si President, që veshi qyrkun e kryetarit të LSI-së, që nuk ishte zhveshur akoma në fakt, bëri një nga fushatat më të egra dhe luftarake që ai ka bërë në karrierën e vet politike, duke kompromentuar rëndë ngjarjen e sapondodhur që kishte të bënte me zgjedhjen e tij si President.

Unë mendoj se Ilir Meta po e bën këtë jo se ka ndonjë gjë kundër Ramës, ai thellë-thellë në mendjen e vet është duke e uruar Ramën, se i ka dhënë një alibi, një arsye që Ilir Meta të çojë deri në fund betejën e tij politike, të cilën ai e ka prej kohësh në kokën e vet. Kjo betejë ka të bëjë me qëllimin e tij për të marrë në dorë frenat e opozitës, gjithçka që po ndodh, po ndodh kundër Lulzim Bashës. Nëse Meta do ta bëjë këtë gjë, le ta bëjë, madje kam përshtypjen mund t’i bëhet mirë edhe opozitës, por ai këtë gjë nuk mund ta bëjë nga zyra e Presidencës, duke mbajtur veshur kostumin e Presidentit. Ai duhet ta heqë këtë kostum. Apeli im është i thjeshtë: Zoti Meta, bëni Presidentin, dilini për zot funksionit të Presidentit, nëse në mendje keni betejën politike, atëherë duhet të largoheni nga Presidenca, kjo është për të mirën tuaj dhe mbi të gjitha për të mirën tonë, kjo është imperative. Ne nuk e meritojmë, ne nuk duam të kemi në Presidencë një njeri që e ka mendjen te betejat e veta politike. Ne duam një President që të jetë simbol i unitetit kombëtar.

*Marrë nga monologu në “Provokacija”