.

U kap në Shqipëri, ekstradohet në Rusi luftëtari i ISIS


Shërbimi Rus i Sigurisë ka publikuar një deklaratë këtë të shtunë ku bën të ditur se shtetasi rus, Rasul Mislaev, i cili kishte luftuar për ISIS, është ekstraduar në Rusi nga Shqipëria.

“Shërbimi Federal i Sigurisë, bashkë me zyrën e Prokurorisë së Përgjithshme të vendit, INTERPOL-in, Ministrinë e Brendshme dhe Shërbimin Federal të Burgjeve ka organizuar ekstradimin e shtetasit rus, Rasul Mislaev nga Shqipëria”, thuhet në deklaratë.

Shërbimi i Burgjeve gjithashtu konfirmoi për Agjencinë Ruse të Lajmeve, TASS se Mislaev ishte dërguar në qelitë e paraburgimit, ndërkohë që hetimet për të vazhdojnë, shkruan a2cnn.

 

Mislaev u arrestua nga Policia shqiptare në 12 korrik të vit 2019, pasi ndaj tij ishte lëshuar një urdhër arresti nga Gjykata ruse, ku akuzohet për veprën penale “Pjesëmarrje në organizatë terroriste”. Sipas autoriteteve ruse, në qershor të vitit 2013, Mislaev ishte larguar nga Rusia për në Siri, ku i është bashkuar grupit ilegal të armatosur, të ashtuquajturit “Shteti Islamik” (ISIS), duke qenë pjesëmarrës aktiv në luftime kundër forcave qeveritare në Siri. Ai kishte hyrë në vendin tonë si emigrant i paligjshëm.

Gjatë seancave gjyqësore ku do të vendosej fati i tij, Mislaev i kërkoi gjyqtarit të mos e ekstradonte. “Ju lutem mos më deportoni në Rusi, sepse atje do të më vrasin”, pati thënë Mislaev./a2cnn