.

Arkitekti danez shkeli ligjin me projektin për teatrin? Prokuroria pushon çështjen, PD nuk ‘bindet’ dhe anikimon vendimin

Prokuroria e Tiranës rrëzon pretendimet e Partisë Demokratike se arkitekti danez Bjarke Ingels ka shkelur ligjin duke realizuar projektin për ndërtimin e teatrit të ri, pa patur një marrëveshje me autoritetet dhe duke qenë në dijeni të faktit se godina do të ngrihej në një zonë të mbrojtur . Në nëntor të 2019, prokurori Saimir Hysa vendosi mosfillimin e procedimit penal, me argumentin se nuk ka element të veprës penale. Por, çështja përfundoi në gjykatë, përderisa partia demokratike e ankimoi vendimin e Akuzës, duke mos qenë dakord me të.

Javët e ardhshme pritet që gjykata të kontrollojë vendimin e prokurorisë dhe të vendosë për mbylljen finale të çështjes, apo ta kthejë dosjen për rihetim. Opozita e kallëzoi arkitektin e huaj për akuzën e korrupsionit pasiv në sektorin privat, dhënie ndihme për ndërtim të paligjshëm dhe ushtrim I ndikimit ndaj personave që ushtrojnë funksione publike. Në dokument thuhet se arkitekti ka marrë përsipër realizimin e projektit në mënyrë private nga kryeministri dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës. Realizimi i projektit thuhet në kallëzim – ka filluar në 2016, pa nënshkruar një marrëveshje me autoritetet publike dhe zona ku ndodhet godina e teatrit konsiderohej zonë e mbrojtur. Në materialin kallëzues theksohet Ingels ka kryer vepër penale, përsa kohë ka pranuar të realizojë projektin e porositur nga autoritetet, të cilët nuk kanë zbatuar asnjë procedurë për paraqitjen e saj, pa patur asnjë shprehje interesi apo njoftim publik.

Por të gjitha pretendimet e opozitës janë rrëzuar nga prokurori Hysa, i cili thekson se pasi shqyrtoi kallëzimin, arrin në konkluzionin se nuk ka bazë ligjore, për fillimin e procedimit penal. Kjo për faktin se punimet për ndërtimin e teatrit të ri nuk kanë nisur dhe për rrjedhojë nuk rezulton që subjekti i kallëzuar të ketë ofruar shërbime. Lidhur me kërkesën për vendosjen e sekuestros paraprake ndaj projektit, prokuroria thotë se: “Nuk është në objektin e punës së prokurorisë të gjykojë mbi vlefshmërinë e akteve ligjore apo nënligjore të nxjerra nga organet shtetëror si dhe mbi faktin nëse duhet shembur ose jo godina e teatrit Kombëtar”.