.

Video/ Çmenduri bardheblu! Tirana përmbys në tre minuta Kukësin dhe merr kreun e renditjes!


Ndeshje e çmendur në “Air Albana Stadium”! Gola, autogola, kartona të kuq dhe përmbysje me Tiranën që mposht Kukësin për herë të parë në këtë sezon dhe i merr kreun e renditjes! Një mbrëmje fantastike për bardheblutë që futen me frymën e duhur në javën e derbit të madh të kryeqytetit.

Tirana e nis takimin me marshin e pestë dhe në minutën dytë dhe të pestë portieri Xhika bëhet vendimtar për portën e tij duke ndalur Muçin dhe Kobinah. Gjithsesi Kukësi merr masat dhe loja balancohet.

Në të 25-ën Shkurtaj shënon, por Hamiti ka ndalur lojën më parë për një faull të sulmuesit të Kukësit. Pjesa e parë do të mbyllet me rrjeta të paprekura, ndërsa të dytën e nisin verilindorët me vrull.

Aq sa në të 52-ën një zbritje nga e majta detyron Vangjelin ta fusë topin në portën e tij pas harkimit të Mustës. Feston Kukësi, tronditet Tirana dhe me kalimin e minutave duket se çdo gjë flet për kryesuesit.

 

Por në minutën e 84-ët vjen momenti që kthen ndeshjen. Teqja ndërhyn ndaj Kalesë, merr të verdhën e dytë dhe lë Kukësin me 10 lojtarë. Këtu përfitojnë bardheblutë që barazojnë menjëherë me goditjen e dënimit të kthyer në gol nga Batha.

Tirana ndjen se ka fatet e ndeshjes në dorë dhe vijon sulmet, teksa 3 minuta më pas Kobinah shërben për Torasën, i cili shtyn në rrjetë duke shënuar golin e përmbysjes së madhe.

 

Delir në pjesën bardheblu të stadiumit, që shijon marrjen e kreut ndaj një rivali direkt për titull, pasi është Tirana e cila tashmë kryeson kampionatin me 44 pikë, duke parakaluar Kukësin, që mbetet në kuotën e 42 pikëve.