.

Rezervat e arit në Ballkan dhe botë, ja kush e kryeson renditjen dhe vendi që zë Shqipëria

Shqipëria është vendi me sasinë më të vogël të rezerva të arit në Ballkan. Sipas të dhënave zyrtare, Banka e Shqipërisë ka në rezervat e saj 2.23 tonë ar, ose 106 milionë euro, që krahasuar me vendet e Ballkanit është sasia më e vogël.

Sipas të dhënave, të Këshillit Botëror të Arit, Greqia është vendi i parë në Ballkan për nga sasia e arit në rezerva, me 113 tonë, ndjekur nga Serbia me 30.4 tonë, Maqedonia e Veriut me 6.9 tonë dhe nga Bosnjë-Hercegovina me 3.0 tonë.

Në fund të vitit 2018, Shqipëria kishte vetëm 1.2 tonë ar, ndërkohë gjatë vitit 2019-ë, Banka e Shqipërisë i rriti rezervat e saj në 2.23 tonë. Pra, në harkun kohor të disa muajve, Banka Qendrore e Shqipërisë ka blerë plot 1 ton ar, që në vlerë përkthehen në rreth 48 milionë euro.

Në nivel botëror, Amerika është vendi i parë për rezervat e arit me 8133 tonë e ndjekur nga Gjermania me 3366 tonë dhe Fondi Monetar ndërkombëtar me 2800 tonë.

Gazetari i ekonomisë në Euronews Albania, z. Fatos Çoçoli tha se rezervat e arit janë tregues për potencialin ekonomik, që ka një vend i caktuar.

“Ari është ndoshta aseti dhe vlera më e sigurt në çfarëdo lloj momenti krize në të cilën mund të ndodhet jo vetëm thjesht ekonomia e vendit apo e rajonit. Në krizën e fundit që shpërtheu nga viti 2008-2012, vlera e arit u rrit shumë. Pikërisht sepse çdo investues, por edhe qeveritë duan ta blejnë atë ar dhe rritja e vlerës së arit vjen nga kërkesa e lartë. Shtetet më të mëdha të botës më të fuqishme kanë rezerva më të mëdha të arit. Depozitat në ar tregojnë fuqinë ekonomike të një vendi”-theksoi gazetari./euronews