.

Kuriozitete që nuk i keni ditur për derbin më spektakolar të planetit, atë mes Interit dhe Milan

Të dielën mbrëma sytë e të gjithë botës do të jenë në Milano, aty ku do të luhet një nga ndeshjet më spektakolare të planetit, ajo midis Interit dhe Milan.

Drejtuesit e klubeve kanë njoftuar se janë shitur të gjitha biletat e vendosura në dispozicion për ndeshjen. Plot 80 mijë tifozë do të mbushin shkallët e San Siros, që priten të ndizen së tepërmi dhe nga ovacionet dhe koreografitë e përgatitura nga tifozëritë e dy kubeve, Curva Nord ajo e zikaltërve dhe Curva Sud ajo e kuqezinjve. Në këtë ndeshje më e avantazhuar duket Interi i Antonio Contes, të cilët renditen në kampionat në vendin e dytë dhe momentalisht kanë 19 pikë më shumë se Milan, që pozicionohet në vendin e 9 në tabelën e klasifikimeve. Por me ardhjen e Zlatan Ibrahimovic kuqezinjtë duket se kanë krijuar në identitet të ri duke hyrë në rrugën e fitoreve, për të siguruar në këtë mënyrë një vend në kupat e Evropës.

Derbi i fundit i luajtur mes dy skuadrave u fitua nga Interi me rezultatin 2-0 me golat e realizuara nga dy lojtarët që konsiderohen si çelësi i suksesit i këtij Interi të ri, Romelo Lukaku dhe Lautaro Martinez. Megjithatë derbi është derbi dhe gjithmonë në fushën e lojës nuk ka pasur favorit, por gjithçka është vendosur nga episodet e krijuara gjatë ndeshjes.

Të gjitha kuriozitetet që duhet të dini për derbin e Milanos

Derbi i parë është zhvilluar në kuadrin e një miqësorje në 10 janar të 1909, nuk u zhvillua në Itali por në Chisso të Zvicrës dhe përfundoi me rezultatin 2-1 në favor të Milan. Që nga ajo ditë Inter dhe Milan kanë luajtur zyrtarisht kundra njëri tjetrit plot 224 herë. Megjithatë të dyja ekipet kanë luajtur së bashku vetëm një herë jashtë Italisë, në finalen e Superkupës të Italisë të vitit 2011, e cila mbetet edhe e vetmja ndeshje zyrtare e luajtur jashtë territorit italian. Derbi-t e para u luajtën në “Campo di Porta Monforte” fusha ku luanin kuqezinjtë, e cila tani njihet nga milanezët si “Via Bonzetti”. Lojëra të tjera janë zhvilluar edhe në “Arena Cicica “në fushën “Via Goldoni”, por Interi shpesh ka përdorur edhe fushën në “Viale Lombardia”. Derbi i parë në San Siro daton në 19 shtator të 1926, të cilën Interi e fitoi me rezultatin e thellë 6-3.

Golashënuesit më të mirë:

Ukrainasi Andriiy Shevchenko është golashënuesi më i mirë në historinë e Derbit të Milanos, me 14 gola të shënuar. Ai ndiqet nga legjenda e zikaltërve, Giuseppe Meazza (e cila është dhe emri i stadiumit të Interit, kur ajo luan si vendase), me 13 gola të shënuara (12 për Interin dhe 1 për Milanin). Në vendin e tretë, renditen dy lojtarë me 11 gola të shënuar, Istvan Nyers dhe Gunnar Nordahl. Nyers ka mbrojtur ngjyrat e Interit, ndërsa Nordahal ato kuqezi në sezonet 1948-1954.

Kohët e fundit golashënuesit më të mirë kanë qenë Diego milito me gjashtë gola të shënuara si dhe Zlatan Ibrahimovicme gjashtë gola, por katër i ka shënuar për Milan dhe dy për Interin, pasi suedezi në karrierën e tij ka luajtur për të dyja ekipet. Por ky numër dhe mund të shtohet, pasi Zlatan që nga fillimi i këtij viti ka veshur përsëri fanellën e Milanit dhe në sfidën e ditës së nesërme pritet të jetë në majë të sulmit në krah të talentit portugez Leao.
Lojtarët me numrin më të madh të paraqitjeve në Derbi:

Tre kapitenët legjendarë kanë regjistruar më shumë derbi të luajtura: Paolo Maldini (56 ndeshje) Javier Zaneti (47 ndeshje) dhe Giuseppe Bergomi (me 44 ndeshje).

Goli më i shpejtë i shënuar:

Për të shkuar tek goli më i shpejtë në derbi duhet të kthehemi pas në sezonin e 1962-1963, aty ku sulmuesi i paharrueshëm për tifozërinë zikaltër, Sandro Mazzola, shënoi gol vetëm pas 13 sekondave të vërshëllimës së gjyqtarit për nisjen e takimit, ndeshja më pas përfundoi me rezultatin 1-1.
Mbrojtësi argjentinas Walter Samuel ka një rekord pothuajse të përsosur në derbi. Në vitin 2012 ai realizoi një gol të bukur me kokë, duke bërë të mundur në këtë mënyrë të arrijë fitoren e 10 në 10 derbit të luajtura prej tij që kur u transferua nga Real Madrid në vitin 2005. Statistikë që përfundimisht u prish nga fitorja e Milan në derbi, në vitin 2014.

Statistika:

Sfida e kësaj të diele do të jetë e 172 midis dy skuadrave në Seria A. Interi është skuadra me shumë derbi të fituara plot 65 ndërsa Milan është ndalur në kuotën e 51 ndeshjeve, ndërsa 55 herë takimi mes tyre është ndalur në barazim. Interi është skuadra që Milan ka luajtur më së shumti ndeshje në Seria A (171), nga krahu tjetër zikaltërit janë ekipi që i kanë shënuar më shumë gola kuqezinjve, plot 238./TCH