.

“Eja kush është trim”, Basha kujton Ibrahim Rugovën: Të realizojmë ëndrrën e tij, të bëjmë dy shtetet tona të fuqishme…


Kryetari i PD Lulzim Basha me anë të një statusi në “Facebook” ka kujtuar 14-vjetorin e ndarjes nga jeta të ish-presidentit historik të Kosovës Ibrahim Rugova.

Basha thotë se shqiptarët shihnin tek ish-kreu i shtetit të Kosovës Rugova dritën e shpresës. Sipas liderit të Partisë Demokratike, Rugova është simbol i pavarësisë së Kosovës dhe i kauzave të drejta, duke nënvizuar se shqiptarët duhet të realizojnë ëndrrën e tij, që Shqipëria e Kosova të jenë shtete të forta e demokratike.

Postimi i kreut demokrat Lulzim Basha:

14 vjet më parë kaloi në amëshim Ibrahim Rugova, gjeniu i politikës shqiptare dhe vazhduesi më i denjë i aksionit për zgjim kombëtar të Rilindjes Kombëtare. Rugova ishte si një fanar ku shqiptarët, andej e këndej Drinit, shihnin dritën e shpresës, dritën e çlirimit, edhe atëhere kur pak vend kishte për shpresë e pak optimistë besonin tek çlirimi i Kosovës nga zgjedha e fundit kolonialiste në Evropë.

E sotmja nuk është një datë dëshpërimi, as një përkujtimore, është një fat, është një këmbanë për secilin prej nesh për ta ndihmuar vetveten t’i rikthehemi veprës dhe trashëgimisë së Ibrahim Rugovës. Si një qëndrestar i pashoq në përpjekjen për demokraci, ai na mëson se si duhet t’u qëndrojmë kauzave të drejta, t’i mëkojmë ato dhe të mos i braktisim.

Rugova foli për Bogdanin në ditët më të errëta për Kosovën, u solli atyre kushtrimin e Çetës së Profetëve “Eja kush asht trim…”, Rugova foli për demokracinë atëhere kur shqiptarët në Shqipëri e në Kosovë kishin aq shumë nevojë për të.

Laureati i çmimit “Saharov”, “Gandi i Ballkanit”, themeluesi i të parës parti antikomuniste në botën shqiptare, luftëtari i palodhur për kthimin e shqiptarëve atje ku e kanë vendin dhe ku e meritojnë, në Perëndim, u shndërrua në legjendë që në të gjallë të tij.

Sot nderimi më i madh që mund t’i bëjmë kujtimit të Ibrahim Rugovës është ngritja e shteteve të forta të Shqipërisë dhe Kosovës, me demokraci të vërtetë, liri dhe dinnjitet njerëzor dhe me një dashuri të pashoqe për shkollën dhe për gjuhën shqipe. Veç kjo përpjekje mund të përligjë tek ne krenarinë se ishim bashkëkohës të Ibrahim Rugovës dhe pasardhës të politikës që ai themeloi në botën shqiptare.