.

Alpinisti shqiptar thyen këmbën në Malin e Tomorrit, pritet ndërhyrja e helikopterit


Një alpinist ka mbetur i plagosur sot në Malin e Tomorrit, pasi ka rrëshqitur gjatë ngjitjes dhe për pasojë ka thyerë këmbën. Ngjarja ndodhi mesditën e sotme në afërsi të Çesmës së Tarikos. Sipas ‘BalkanWeb’ alpinisti ka qenë pjesë e një grupi prej 4 alpinistësh që kishin shkuar për të eksploruar Malin e Tomorrit, por gjatë ecjes në mal, njëri prej tyre ka rrëshqitur në një zonë të thepisur.
Ai është ndihmuar për t’u nxjerrë nga vendi ku renë nga bashkudhëtarët e tij në këtë aventurë. Burime nga Komisariati i Policisë Skrapar bëjnë me dije se alpinistët ishin nisur në mëngjes nga Qafa e Dardhë në Librazhd drejt Malit të Tomorrit. Të njëjtat burime konfirmojnë se 4 alpinistët kishin kaluar Çesmën e Tarikos dhe po i drejtoheshin pikës më të lartë të Malit të Tomorrit, në momentin kur njëri prej tyre rrëshqiti. Po kështu, konfirmohet se, alpinistët janë të gjithë shqiptarë por identiteti i tyre nuk dihet ende, ashtu sikurse nuk dihet edhe qyteti prej nga ata janë.

Kanë qënë vetë alpinistët ata që nëpërmjet telefonit kanë kërkuar ndihmën e emergjencave civile. Mësohet se nga Tirana është nisur drejt zonës ku ndodhen alpinistët një helikopter i Ministrisë së Shëndetësisë për të transportuar drejt Spitalit të Tiranës alpinistin e dëmtuar për shkak se në zonën ku ata ndodhen nuk ka rrugë makine dhe zona është e mbuluar nga dëbora.