.

Ndryshim sistemi?! Rudina Hajdari pas mbledhjes së Këshillit Politik: Nuk është përjashtuar nga tryeza, duhen dhe lista të hapura


Është zhvilluar këtë mbrëmje mbledhja e Këshillit Politik mes të gjitha palëve politike për Reformën Zgjedhore. Në fund të mbledhjes, deputetja dhe bashkëkryetarja e Komisionit të Reformës Zgjedhore Rudina Hajdari, tha se në tryezë nuk është përjashtuar mundësia e ndryshimit të sistemit zgjedhor.

Gjithashtu, Hajdari tha se është shumë e rëndësishme që të futen edhe listat e hapura, në mënyrë që, sipas saj, shqiptarët të zgjedhin vetë dhe t’iu hiqet pak pushtet krerëve të partive.

“U diskutua fakti që roli jonë kyc në këtë tryezë tregon se ne do vazhdojmë të japim kontributin tonë dhe komisioni do vazhdojë e do ketë rolin e saj lidhur me rolin që çdo përfaqësues ka në atë komision. Si bashkëkryetar ne kemi një fuqi prevaluese, mundësinë e vetos në produktin final, që do kalohet në parlament. Për ne është e rëndësishme që produkti final duhet të jetë një produkt që të jetë sa më gjithëpërfshirës dhe të përfshijë sa më shumë aktorë politikë.

Për ne është e rëndësishme që të arrijmë një konsensus dhe me sa shoh edhe palët tjera kanë filluar të flasin për ndryshim të sistemit, pra nuk është përjashtuar nga tavolina, por po gjithëpranohet nga palët e tjera. Është një gjë për t’u parë.

Ne duhet të kemi një produkt që të jetë dakordësuar nga të gjitha palët. Është një marrëveshje që duhet të ndodhë për të përmbyllur Reformën Zgjedhore, duke iu dhënë shans shqiptarëve të kenë lista të hapura, që ata të votojnë ata që duan, dhe për t’u hequr pak pushtetin krerëve të partive. Mendoj që hapja e listave do të ishte një gjë shumë pozitive. Takimi ishte i suksesshëm, përfshirja e të gjitha palëve ishte gjë e mirë. Ju garantoj që tani e tutje do vazhdojmë të takohemi, mbase edhe përditë, pasi duhet bërë një punë shumë intensive”, tha Hajdari. /BW