.

KÇK, Alibeaj: Tashmë që është krijuar SPAK-u, “lepuri fshihet në barkun” e Ramës

Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, ishte i ftuar në Ditarin e orës 13:00, ku foli për çështje më aktuale politike në vend, nga çështja e lobimit rus, dekriminalizimi, KÇK, por edhe për atë se çfarë pritet tashmë nga Partia Demokratike.

Situata e rendit, sipas Alibeajt
“Në vitin e kaluar kanë ndodhur jo më pak se 57 ngjarje me pasojë vdekjen dhe 63 viktima. Këtu nuk po flas për viktimat e aksidenteve rrugore, por për ato që kanë lidhje drejtpërdrejt me situatën e degraduar të rendit. Në vitin që sapo ka hyrë, çdo ditë ka pasur nga një ngjarje nga ato të cilat policia do të duhet t’i kishte parandaluar. Më e dhimbshmja dhe më e frikshmja ishte ajo e Rrëshenit. Po ta analizosh kupton se në çfarë qetësie ekzekuton krimi. Askush nga shteti nuk arrin ta neutralizojë e aq më pak ta kapë më pas. Krimi ka ngritur flamurin e zi të tij në këtë vend që quhet Shqipëri”.

“Lobimi rus, konspiracion politik i përdorur nga PS”
“Çështjet që do të duhet të hetojë SPAK-u, sipas ligjit, janë çështjet e krimit të organizuar dhe të korrupsionit. Këto dy çështje kanë impakt publik dhe e kanë shoqëruar këtë qeverisje nga 2013-ta dhe këtë. Nuk po e them se nga para 2013 nuk ka pasur të tilla çështje. Është e arsyeshme dhe e justifikuar që nga aktorët politikë, t’i kërkohet performancë SPAK-ut. Këtë ka bërë Basha. A është çështja e korrupsionit zgjedhor me impakt publik? Çfarë ka thënë Balla apo PS, se çështja e lobimit rus të shkonte në SPAK, në fakt ka shkuar më tepër sesa në SPAK. Çështja e lobimit rus është filluar me një kallëzim penal të filluar nga vetë PD-ja, që në momentin që ka dalë shkrimi i famshëm. Unë besoj se mund të ketë qenë edhe një lloj autonomie e gjykatës që ka dhënë atë vendim. Unë jam kurjoz tani se çfarë do të ndodhë me fatin e atyre gjyqtarëve që e dhanë atë vendim. Nëse është dhënë ai lloj vendimi nga Gjykata, zero prova ndaj Bashës, Ristanit dhe Dervishit, e gjitha ka qenë një konspiracion politik”.

“Dekriminalizimi, të tjerë kryetarë bashkiakë në shkelje”

“Janë 4 apo edhe 5 të provuar me dokumente ta pakontestueshme. Ka edhe të tjerë. Unë e kam thënë se një nga drejtimet ku kemi eksploruar forcat e aksionit opozitar është dekriminalizimi. Në fakt nuk duhet të ishte kështu. Këtë duhet ta kishte bërë vetë Prokuroria, KQZ, në mënyrë korrekte dhe të mos kërkonte që të ishim ne që ta shtynim me forcë. Të 60 të zgjedhurit, në mënyrë antiligjore, janë në “skrutilim”. Të paktën për 15 prej këtyre kryetarëve, ka dokumentacion të pjekur, në aspektin ligjor, për t’u bërë publik dhe për të kërkuar aksionin ligjor të prokurorisë, por me radhë”.

KÇK-ja
“Nuk është shpalosur ndonjë projekt ligj. Por nga të gjitha artikulimet politike të Ramës kuptohet kjo gjë si thelb, policia duke zbatuar ligjin antimafia do të kontrollojë gjyqtarët dhe prokurorët. Besoj kjo është linja logjike e deklaruar deri tani. Të thuash këtë gjë, me ngulm madje siç e ka thënë Rama, nuk është gjë tjetër vetëm se të shpallës të dështuar reformën në drejtësi. Ministri i brendshëm që mbledh kufomat e krimit të kontrollojë edhe gjyqtarët edhe prokurorët. Kjo është një rrëzim totalisht, jo i kësaj reforme, por një degradim edhe i sistemit të mëparshëm. E treta, që unë mendoj se është edhe arsyeja e vërtetë. Tashmë që është krijuar SPAK-u, lepuri fshihet në barkun e Ramës sepse nëpërmjet ligjit anti-KÇK do të kontrollojë prokurorët dhe gjyqtarët e SPAK-ut”.

Çfarë presim nga demokratët?
“Dy janë drejtimet kryesore të opozitës në vazhdim. Njëra është ajo që vazhdon në mënyrë kapilare çdo ditë, që është shpërndarja në mënyrë kapilare e programit ekonomik të PD-së nesër në qeverisje. Ne kemi një program ekonomik që është i kalibruar edhe me ekspertizën e CDU-së gjermane. E dyta, është çështja e reformës zgjedhore”./A2