.

“Erdogan mi mori të gjitha, tani punoj taksist”/Historia e trishtë e sulmuesit që bëri historinë (EMRI+FOTO)

 

Shumë tifozë futbolli e kujtojnë sulmuesin Hakan Sukur si lojtarin që ka shënuar golin më të shpejtë të historisë së Botërorit me kombëtaren e Turqisë, por edhe si një nga sulmuesit më të mirë të historisë së Gallatasarajit, i cili me golat e tij tërhoqi vëmendjen e Interit, duke luajtur me zikaltërit për dy sezone në Serinë A.

Por, në moshën 48-vjeçare, jeta e tij ka ndryshuar rrënjësisht. Pasi u bashkua me partinë e Erdoganit, u largua nga aty prej skandaleve të korrupsionit dhe pasi prishi lidhjet me Erdoganin, nisi persekutimi i tij. Iu desh të arratisej në SHBA në vitin 2015, ndërkohë që i burgosën të atin.


Pasi hapi një kafene në Amerikë, biznes i cili nuk i eci, sot është shofer taksie në Uashington dhe shet libra për të fituar bukën e gojës. Në “Ëelt am Sonntag”, Hakan Sukur rrëfeu historinë e tij të trishtë.

“Kam nisur të punoj pasi më konfiskuan çdo pasuri që kisha, nuk kam më asgjë. Erdogani m’i mori të gjitha. Më hoqi të drejtën e lirisë, të drejtën e fjalës, të shprehjes dhe të punës. Pas çdo deklarate që bëja, më kërcënonin. Fëmijët e mi janë sulmuar në rrugë, në butikun e gruas sime hodhën gurë… Kur u largova nga Turqia, burgosën babanë dhe më konfiskuan çdo pasuri. Njerëzit që kanë lidhje me mua e kanë jetën shumë të vështirë në Turqi”, tregon ish-futbollisti.

 

Hakan Sukur u akuzua se mori pjesë në grushtin e shtetit që mendohet se e organizoi Fetullah Gulen në vitin 2016, por 48-vjeçari thotë se ende nuk e di se për çfarë akuzohet saktësisht.

“Kush ishte roli im në grushtin e shtetit? Askush nuk ma ka thënë këtë deri më sot. Kam bërë vetëm gjëra që janë të ligjshme, por quhem Hakan Sukur. Jam armik i qeverisë, jo i shtetit dhe kombit turk. E dua flamurin dhe vendin tim”, thekson ish-futbollisti./gazetashqip