.

Kush do i ndalojë Al Kaponet e sipërmarrjeve shqiptare!?

Nga Nikollaq Neranxi
“Korrupsioni është sllogani i jetës sot. Ai është ligji kur nuk respektohet ligji i vërtetë, ai po minon vendin. Ligjvënësit e ndershëm numërohen me gishtat e dorës, ata të qytetit tim, me gishtat e njërës dorë. Virtytet, nderi, e vërteta dhe ligji janë zhdukur. Jemi të gjithë mashtrues dhe të korruptur, na pëlqen t’ja hedhim lehtë. E nëse nuk arrijmë të nxjerrim bukën në mënyrë të ndershme, atëherë e bëjmë në mënyra të tjera”.

Nuk po flasim për Shqipërinë e sotme edhe pse çdo frazë e këtij citimi, e përshkruan më së miri atë. Këto janë fjalët e mafiozit Al Kapone, teksa përshkruante Amerikën e viteve 1920. Dhe ashtu siç bëjnë të korruptuarit tek ne, Kapone relativizonte gjithçka, duke thënë se në një mjedis të korruptuar, nuk mund të mbijetosh me ndershmerii dhe fajin nuk kanë pse e kërkojnë vetëm tek ai.

Sot pas 100 vitesh, Al Kaponet jetojnë dhe korruptojnë për ditë, në një vend të vogël që quhet Shqipëri. Sot paraja e korrupsionit të pushtetarëve dhe ajo e krimit, shohin në të njëjtin drejtim dhe janë bashkë për një qëllim, që të kapin çdo hallkë të mundshme të ekonomisë shqiptare, në mënyrë që vetëm ata të kenë kontrollin mbi çdo biznes. Dhe në këtë mënyrë, gjykatësi, politikani, polici dhe krimineli, bëhen klasa e re e biznesit dhe ashtu të bashkuar, në simbiozë të plotë, ata nuk mund t’i ndalë më askush… …

Ose edhe mundet, të paktën kështu shpresojmë, se po vdiq shpresa, ka vdekur çdo gjë… Sot sytë tanë janë kthyer nga SPAK, si e vetmja shpresë se do të vendoset drejtësi dhe kjo vetëm për aryse se ndërkombëtarët kanë vënë dorë dhe kanë investuar për këtë strukturë të drejtësisë, të asaj drejtësie që për 30 vite, bëri çdo gjë, por jo punën e saj. SPAK e ka shumë të qartë ralitetin ku ndodhemi, në Shqipëri po jetojmë kohërat e Al Kapones, jemi 100 vite mbrapa, ky nuk është skenar i paparë dhe i padëgjuar ndonjëherë.

Njerëz që merren me aktivitete të paligjshme, që edhe vrasin nëse dikush kërkon t’i ndalojë, që korruptojnë gjykatës e policë, ministra e deputetë, njerëz që askush nuk guxon t’ju dalë përballë. Jetojmë në epokën që Kapone e quante “amerikanizëm”, ku çdo mundësi kapet me të dyja duart dhe shfrytëzohet në maksimum. Dhe mundësitë në gjuhën e mafies, janë krimi dhe korrupsioni, sa më shumë, sa më lart, për të qenë të paprekshëm, sepse nëse dikush që nuk blihet me para, ai patjetër do të blihet me shumë para. Prandaj sot, nëse ndokush e ka ndarë mendjen që të bëhet me të vërtetë drejtësi në këtë vend, problemeve iu duhet shkuar në thelbin e tyre.

E thënë më konkretisht, nëse SPAK merret me fakte si ato nëse u blenë apo jo votat në Dibër, nëse një Kryetar Bashkie kishte apo jo lidhje me trafikantë droge etj, fare mire si fillim, mund të marrë në dorë gjithë dokumentacionet e bizneseve të mëdha në vend dhe të shohë ecuritë e tyre në vite. Është matematikë shumë e thjeshtë; nëse u rritën, ku i morën paratë? A paguan taksa, a prenë fatura tatimore, a e kaluan mallin në doganë? Gjithçka është lehtësisht e verifikueshme, sepse me të vërtetë po jetojmë në epokën e Al Kapones, por jemi në kohërat e zhvillimit teknologjik ose të revolucionit digjital, siç thotë Kryeministri Rama dhe çdo veprim lë gjurmë.

Aty duhen kërkuar njerëzit që pastrojnë paratë e korrupsonit dhe krimit dhe shtojnë fitimet e tyre, nga aty hyn dhe më pas del, paraja e pisët, aty gjenden investitorët e të keqes në këtë vend. Prandaj duhet urgjent veting në ekonomi, sepse sot më shumë se asnjëherë më parë, me frikën nga SPAK, paratë e krimit dhe korrupsionit, kanë gjetur strehim në bizneset e rëndësishme në vend, me shpresën se aty do të jenë më të sigurta dhe do të pastrohen. Këto lloj biznesesh, kryejnë sot një terror të mirëfilltë në treg. Klientët e mij më tregojnë të trembur, se mafiozët sipërmarrës, kërcënojnë se nëse nuk do të blejnë produktet e tyre, do iu sjellin tatimet për gjoba, madje i kercenojne duke iu permendur femijet.

Tamam si Al Kapone dikur, i cili detyronte lokalet të blinin pijet e tij alkoolike dhe kush nuk pranonte, i hidhte lokalin në erë. E meqe jemi te pijet alkoolike, klientët e bareve dhe restoranteve me të cilët punoj prej 30 vitesh, më rrëfejnë se një Al Kapone, dikur punonjës dogane e sot sipërmarrës, krahas shumë veprimeve të paligjshme në biznesin e tij, pak ditë para vitit të ri, i kishte çuar disa lokaleve, me qindra litra pije falas, gjë që unë nuk arrija ta besoja. Që të falësh aq shumë mall per te kapur tregun, në rradhë ta parë duhet të punosh shumë para korrupsioni, në rradhë të dytë është e paligjshme sepse ti për çdo mall të shitur apo të falur, duhet të paguash TVSH, vetëm në rastet kur e sjell pa doganë. Dhe nëse është kështu, malli është i pakontrolluar dhe rrezikon shendetin dhe së fundi, cënohet konkurrenca e lirë në treg.

Prandaj i bëj thirje SPAK, të hetojë njerezit që kanë kapur për fyti këtë vend dhe nuk e lënë të bëjë progres. Nuk janë shumë, rreth 300 biznese janë të mëdha dhe të rëndësishme në vend. Edhe unë do të kontribuoj me materialet që kam grumbulluar, pasi jam në treg, jam i dëmtuar nga ky korrupsion dhe mund të dëshmoj me fakte për këtë krim ekonomik që e ka çuar këtë vend buzë greminës dhe njerëzit në dëshpërim ekstrem, sepse korrupsioni thellon varfërinë. Sot ka vetëm dy rrugë: ose ta luftojmë korrupsionin ose të bëhemi pjesë e saj. Shqiptarët e ndershëm të këtij vendi të cilët janë shumica, duan atë të parën. Dhe sa më shpejt!