.

Duka rrëfen për “Gazzetta Dello Sport”: Panuçi më zhgënjeu, De Biazi hero për ne, me Rejën shkojmë në Euro2024!


Bepe Dosena, De Biazi, Panuço dhe Edi Reja, stadiumi i ri dhe yjet e Kombëtares që aktivizohen në Serinë A. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, rrëfen për “Gazzetta Dello Sport”.

Nga Dosena te Edi Reja dinastia e trajnerëve italianë në krye të kombëtares së Shqipërisë po vazhdon.

Trajnerët italianë janë të suksesshëm kudo, e tregon historia. E nisa duke i besuar Dosenës, por la shumë pak gjëra. I dyti ishte De Biasi, i cili na dërgoi në kampionat europian për herë të parë. Për këtë mori nënshtetësinë shqiptare, konsiderohet një hero. Panuçi erdhi pas tij, ai ishte i vetmi që më zhgënjeu pak.

Shumë para për të mbyllur bashkëpunimin me Panuçin.

Nuk ishte krijuar një klimë e mirë. Vendosa ta zgjidhja për trajner të Shqipërisë për karakterin e fortë që ka treguar në fushën e lojës, e admiroja që kur e kam parë në televizor. Nuk kishte eksperiencë si trajner, por nuk e kushtëzova. Mendova se donte të ndihmonte Shqipërinë. Kur e takova më tha: ‘President, nëse ke vendosur të më largosh, nuk do të kërkoj asgjë’. Dhe tani kemi marrë një kërkesë për t’i shpërblimet pas shkarkimit. Avokatët po merren me çështjen. Nuk është çështje parash, por ndiej hidhërim.

Për sa i përket objektivave të ardhshme të kombëtares sonë, presidenti i FSHF-së Armand Duka tregon hapur ambicien e tij dhe të kombëtares kuqezi. Ai synon që Shqipëria të kualifikohet për kampionatin europian të 2024, ndërsa e konsideron tepër të vështirë kualifikimin në një kampionat botëror.

Çfarë synoni të arrini me Rejën?

Reja është trajner me eksperiencë. Me të dhe stafin e tij teknik kemi një projekt me perspektivë. Kualifikimi në Kupën e Botës është i vështirë, synojmë të kualifikohemi për EURO 2024. Kjo është ëndrra ime.

Presidenti Duka, Kumbulla është xhevahiri i ri i futbollit shqiptar dhe kërkohet nga klube të mëdha (Napoli dhe Lacio). A mendoni se është gati për këtë hap në karrierë?

Kumbulla është një lojtar shqiptar me shumë perspektivë. Është 19-vjeç, po bën shumë te Verona, po rritet dhe është thirrur në kombëtare nga trajneri Reja, ku ka luajtur disa minuta. Është në rrugë në mbarë për t’u bërë një lojtar me emër. Ai i zoti në aspektin teknik dhe fizik dhe ka karakter të mirë. Te Verona është dhe Rrahmani. Ai ka luajtur më parë me ne, por vendosi të përfaqësonte Kosovën.

Bashkë me të janë dhe Strakosha i Lacios, Hysaj i Napolit dhe Gjimshiti i Atalantës.

Hysaj është kapiteni ynë, është lojtari më me eksperiencë, shpresoj të rifitojë sërish hapësirë te Napoli. Ka luajtuar pak me Ançelotin. Gjimshiti është lojtar i mirë, luan në Ligën e Kampioneve dhe nuk është pak për ne. Strakosha dhe Berisha janë të zotë, ata ia kanë të vështirë Rejës se kë duhet të zgjedhë si portierin e parë. Në Serinë kemi Veselin.

Tërmeti i 26 nëntorit shkatërroi atmosferën festive pas inagurimit të stadiumit të ri kombëtar, një simbol i rilindjes.

Stadiumi i ri është gjëja më e bukur në Shqipëri për momentin, është shumë i rëndësishëm për ne. Në stadiumet e qyteteve të prekura nga tërmeti tani ka tenda. Të gjithë lojtarët e skuadrës tonë kombëtare kanë paguar për rikonstruksionet bashkë me shumë federata të tjera të futbollit. Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit Gabriele Gravina reagoi menjëherë. Reja kontribuoi bashkë me Lacion. Me paratë grumbulluara ne do të ndërtojmë shtëpi të reja për njerëzit e prekur nga tërmeti. Në 10 janar do të luajmë një ndeshje bamirësie mes veteranëve të Shqipërisë me ata të Italisë, Greqisë dhe Turqisë. Paratë e grumbulluara nga kjo ndeshje do të shkojnë për bamirësi.
/BW