.

Shqipëri e vogël apo shqiptarë të vegjël?

 

 

Kreshnik Spahiu

Ishte mbrëmje nëntori 2006. Papritmas mora një telefonatë nga “Patricia” shefja e projekteve amerikane për Shqipërinë: “Mirmbrëma Kreshnik, a je i lirë të kalosh për një kafe pranë ambasadës?…. “Patricia” kishte afro 3 muaj që kish ardhur në Shqipëri, ndërsa unë kisha afro 7 vjet që punoja me projektet e financuara nga USAID.
Pas 1 ore u gjenda përballë saj dhe ajo e trishtuar më thotë: “Kreshnik, unë javën tjetër largohem nga Shqipëria me dorëheqje dhe do filloj diplomate e thjeshtë në Egjypt”
I privilegjuar për konfidencën dhe i trishtuar që po largohej një mike e vyer, pata kurajo ti them: “Kjo s’është normale. Më mirë qëndro e para e një katundi këtu në Europë, sesa e fundit në Egjypt” Patricia qeshi me cinizëm dhe më tha: “Kreshnik po të jap një përgjigje për të cilën nuk duhet të më paragjykosh sot por pas 10 vitesh.
Ju shqiptarët jeni të vegjël në çdo gjë!
Ju jeni të vegjēl në sipërfaqe gjeografike,
Ju jeni të vegjël në numër popullsie,
Ju jeni të vegjël në mentalitet,
Ju jeni të vegjël në shpirt,
Ju jeni të vegjël në vizion,
Ju jeni të vegjël në shtet-formim,
Ju jeni të vegjël në liritë tuaja!
Këtu çdo kush zvogëlohet Kreshnik.
Po më merret fryma në Shqipëri. Fshat i vogël!
Këtu edhe president i Shqipërisë po u zgjodhe një ditë, do mbetesh i vogël. Prandaj kudo që të shkoj do rritem më shumë”
E dëgjova dhe nuk e mirëkuptova aspak, por me cinizmin tim patriotik e ironizova dhe i thash: – “Patricia, shqiptarët e dështuar dhe dëshpëruar zakonisht përdorin shprehjen justifikuese: Që për të lënë duhanin dhe për të lënë Shqipërinë, kurrë nuk është vonë”
Kaluan shumë vite, kaluan shumë ujëra, kaluan shumë ngjarje! Shqipëria nuk është më ajo e 2006. As Kosova nuk është ajo e atyre viteve.
Dikur kishin të gjithë një ēndërr, tashmë ajo ështē vrarë. Historia duhet të na gjykojë ne më shumë madje se armiqtë tanë. Paskemi qenë më të vegjël se ata.
Ne shqiptarët shpallëm pavarësinë të fundit. Ne shqiptarët zyrtarizuam alfabetin të fundit .
Ne shqiptarët shkruajtëm gjuhën tonë shqipe të fundit.
Ne shqiptarët krijuam çerek shtetin tonë të fundit.
Ne larguam komunizmin e fundit në Europë. Ne jemi të fundit që mbajmë liderë 30-40 vjet. Ne shqiptarët kemi mbetur të coptuar të fundit.
Ne shqiptarët po integrohemi të fundit.
Ne e kemi plaçkitur tokën tonë më shumë se pushtuesit tanë.
Ne, në 30 vjet kemi masakruar pasuritë kombëtare më shumë se ç’na bēnë pushtuesit 3000 vjet.
Në 30 vjet ne shqiptarët shkatërruam dhe tjetërsuam: puset e naftës, minierat e kromit, pyjet, burimet ujore, bregdetin, shtratin e lumenjve, burimet toksore dhe nëntoksore, coptuam dhe shqyem tokën në dhjetra “pronarë”.
Nuk na i masakruan pasuritë kombëtare as serbët, as grekët, as maqedonasit, as turqit, as bullgarët, as austro-hungarezët, as gjermanët, as rusët, as kinezët.
Jo, jo pushtuesit nuk na tjetërsuan dhe nuk na e zvogluan as pasurinë dhe as shpirtin
Ne shqiptarët i kemi bërë gropën vetes. Madje unë kam frikë se akuza e armiqve tanë shekullorë po faktohet çdo ditë: “Shqiptarët, s’kanë aftësi shtet-formuese”
Ju lutem mos u ankoni dhe të thoni: që janë të vegjël politikanët dhe ju jeni të mëdhenj.
Jo ,jo! Të vegjël dhe korruptuar janë të gjithë politikanët, mjekët, doganierët, tatimorët, policët, gjyqtarët, prokurorët, krye-bashkiakët,….
3 milionë jemi futur në xhepin e 3 personave.
Madje edhe ata pak shqiptarë të gjatë mbi 1.90cm që keni votuar janë më të vegjël se çdokush.
Shikoni si po e shqyejnë shqiptarizmin dhe njëri-tjetrin:
Albini kundër Mustafës,
Saliu kundër Thaçit,
Basha kundër Ramës,
Ahmeti kundër Zijadinit,
Në Ulqin 20.000 banorë kanë krijuar 11 parti shqiptare. Tragji-komedi e pa preçedentë.
Janë gati ta largojnë Shqipërinë, Kosovën apo- Iliridën të gjithën në emigracion.
Ata sa më shumë zgjaten në trup apo në pushtet, aq më të vegjël bëhen në shpirt dhe mendësi.
Janë gati të bëjnë pakt me djallin, por me një kusht që djalli të jetë shtetas i huaj, dhe jo shqiptar.
Realisht, Shqipëria është e madhe, por ne historikisht dhe brez pas brezi kemi qenë dhe mbetemi ende shumë të vegjël.