.

“Po japin shenjat e para të një lufte të egër balte”, Rama akuza opozitës: Inekzistente, refuzimi i tryezës së dialogut mungesë përgjegjshmërie!


“Opozita ka qenë inekzistente përjashto daljet rutinë të Bashës, që e përshëndes për një vetëpërmbajtje në momente tejet të vështira për njerëzit që u përpoq të mos bëhej i rëndë me fjalorin e tij”, kështu u shpreh kryeministri Edi Rama, nëpërmjet një video mesazhi në rrjetin social facebook.

Ndonëse e ka përshëndetur për vetëpërmbajtjen, Rama e ka kritikuar kreun e demokratëve për faktin se refuzoi të ulej në tryezën e bashkëpunimit dhe ka dhënë shenjat e para të një lufte të egër balte.

“Por nuk mund të mos e kritikoj për refuzimin që të japë një dorë për këtë situatë duke u ulur në tryezën e bashkëpunimit. Refuzimi në një situatë të tillë është mungesë e plotë përgjegjësie. Meraku im është se opozita, njerëzit rrotull Bashës kanë nisur të japin shenjat e para të një lufte të egër balte”, tha kryeministri.

Më tej kryeministri u shpreh se nuk do të lejojë të gjithë ata që janë rreth tij të merren me ta.

“Kjo është puna e tyre dhe e Bashës që me siguri do ta marrë shpejtë flamurin e asaj lufte. Do përpiqem të mos lejoj edhe njerëzit rreth meje të merren me ta sepse duhet të merremi me sfidën që kemi para.

Duhet dhe do të ngrihemi edhe përtej vetvetes duke dhen maksimumin për ata fatkeq që u dëmtuan më shumë se ne të tjerët”- u shpreh Rama./Panorama