.

Kurti: Qeveria e re do të formohet së shpejti, ja prioritetet tona

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti deklaroi sot se qeveria e re do të formohet së shpejti. Gjatë një takimi me përfaqësuesit e shqiptarëve në Mal të Zi ai tha se prioritet i kësaj qeverie është punësimi dhe drejtësia.
Përmes një deklarate për shtyp bëhen të ditura dhe detajet nga takimi me kryetarin e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, Faik Nika dhe nënkryetarin e Kuvendit të Malit të Zi, Genc Nimanbegu.
Njoftimi i plotë
Sot, Kryetari Kurti, së bashku me Nënkryetaren znj. Fatmire Mulhaxha Kollçaku, anëtarin e Kryesisë së Lëvizjes, z. Martin Berishaj dhe aktivisten, znj. Valë Gjonbalaj, pritën në takim Kryetarin e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, z. Faik Nika dhe Nënkryetarin e Kuvendit të Malit të Zi, z. Genc Nimanbegu.
Z. Nika dhe z. Nimanbegu uruan Kryetarin Kurti për fitoren në zgjedhjet e fundit dhe shprehën dëshirën që qeveria e re e Republikës së Kosovës të formohet sa më parë.
Ata ndanë edhe shqetësimin e tyre në lidhje me shqiptarët në Mal të Zi, emigrimin në rritje, asimilimin dhe natalitetin e ulët, duke shprehë bindjen se qeveria e re e Kosovës do të ketë një vëmendje të shtuar për shqiptarët që jetojnë atje. Kryetari Kurti i falënderoi për urimin e vizitën dhe i njoftoi me prioritetet e qeverisë së re të Kosovës që do të formohet së shpejti, e që janë punësimi dhe drejtësia. Në lidhje me shqiptarët jashtë kufirit dhe ata në Mal të Zi, ai tha se është e rëndësishme që ata të bashkohen por që edhe më e rëndësishme është t’iu zgjerohet korniza e mundësive në ato vende ku ata jetojnë e këtu një rol më aktiv pa dyshim se duhet ta kenë Republika e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë. Në përfundim të takimit, u shpreh gatishmëria për bashkëpunim të ngushtë në të ardhmen.