.

“Kjo është Shqipëria, me vështrimin e përgjakur që kërkon ndihmë”, Grida Duma në Manëz: Familjet nuk largohen nga banesat, fëmijët rrezikojnë të sëmuren


Ish-deputetja demokrate Grida Duma reagon pas vizitës në Manëz, ku vizitoi disa familje të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit që jetojnë në kushte tepër të rënda pas dëmtimit të banesave të tyre.

Duma thotë se familjarët nuk largohen nga banesat për shkak se aty kanë gjedhët me të cilët mbijetojnë, si dhe i tremben humbjes së orendive shtëpiake. Ish-deputetja durrsake thotë se shqetësimi më i madh mbeten fëmijët që rrezikojnë të sëmuren pasi natën e kalojnë jashtë në të ftohtë.

Postimi i plotë:

Shqipëria e vërtetë është kjo!

Me vështrimin e përgjakur që kërkon ndihmë!

Trauma, humbja e madhe e jetëve, humbja e mundësisë prej dekadash për të bërë mirëqenie.

Në Manëz, familjet nuk i largohen shtëpive se janë të varur nga gjedhët me të cilët mbijetojnë.

Shumë jetojnë në oborre, nga frika e humbjes se plaçkave dhe orendive.

Problemi më i madh janë fëmijët që rrezikojnë sëmundje e ftohje sepse jetojnë ne “çadra” që s’janë vecse plasmasë të vjetër të mbuluar me batanije të lagura.

Me gjithë përpjekjen për të gjetur çadra dhe ndihma ushqimore atje ku ende nuk ka shkuar asnje ndihmë, kjo zgjidhje është vetëm ditore.

Zonat rurale janë më pak të ditura por dëmet i kanë po aq të mëdha.

Fatura e dëmit është e tillë që duhen shfrytëzuar fondet europiane.

Pavarësisht solidaritetit të vendeve mike, duhet domosdoshmërisht të kërkojmë financim nga BE.