.

Nëse nuk vëmë mend edhe kësaj radhe, do të thotë se e kemi hak!

Nga Mentor Kikia

Numri më i madh i viktimave u shkaktua në dy pallate të kalbura në Thumanë, të nxjerra jashtë përdorimit me kohë, dhe në disa ndërtesa të ngritura pa asnjë kriter teknik në zonën e ish kënetës dhe në plazhin e Durrësit. Të mos ngrejmë sytë nga qielli e te themi: Natyrës dhe Zotit nuk kemi ç’i bëjmë. Katastrofa ndodhi nga një zonë ku ndërtimet, me ligj, duhet të përballojnë deri në 8 ballë. Por u shembën në 6.3 ballë. Tërmeti nuk varet nga ne. Por ndërtimet po, varen nga ne. Dhe numri i viktimave do të kishte qenë shumë më i vogël.
Por përmasat e katastrofës janë shumë më të mëdha. Ne sapo kemi filluar të paguajmë gjëmën që i kemi bërë vetes. Në Durrës mijëra njerëz kanë ngritur shtëpi në një zonë që është 2 metra nën nivelin e detit(ish këneta) dhe ku nuk ka ansjë infrastrukturë kullimi. Holandezët jetojnë nën nivelin e detit, por kanë një jetë që projektojnë si ta përballojnë.
Në zonën e plazhit, pallate e hotele të ndërtuara mbi rërë kanë pësuar dëme serioze, edhe pse nuk janë shembur. Në Kavajë, Vorë, Fushë Krujë e Laç, mijëra shtëpi e pallate janë dëmtuar.
Pasi të varrosim të vdekurit, politikanët duhet të qepin gojën dhe fjalën tua lënë studiuesve. Lagje të dëra mund të duhet të rrafshohen. Dhe duhet të bëhet. Atë që nuk e bënë dot shteti dhe qeveritë e paafta e të korruptuara, po e bën tërmeti. Deti përparon drejt tokës, ndërsa ndërtimet përparojnë drejt detit. Me dhe pa leje, me dhe pa projekte, me dhe pa inxhinierë. Një katrahurë gjigande ka mbushur vendin me ndërtime të frikshme.
Pas kësaj duhet të përcaktohen kritere të rrepta për standardet e ndërtimit.
Nga kjo fatkeqësi duhet të nxirren mësime e të merren vendime që të shërbejnë për dekadat e ardhëshme. Të shkojnë në burg ndërtues e inxhinierë, që për të shkak të fitimit, janë shndërruar në vrasës. Ata qe kane ndertuar e ata qe kane dhene leje.
Ti jepet fund epokës, kur një ndërtues(ai që ka ngritur atë grataçelën e tmerrshme tek Shkëmbi i Kavajës), sa herë arrestohej, kur e lëshonin ngrinte edhe katër kate të tjera pa leje, derisa e çoi në katin e 21.