.

Letër Babagjyshit: Kjo është 7 vjeçarja që ka prekur zemrat e të gjithëve me kërkesën e saj

Shtëpi për familjen e saj dhe ushqim për të ngrënë, është kërkesa që një 7 vjeçare nga Liverpooli i ka bërë babagjyshit.

Siç raporton BBC, letra është gjetur në një kuti postare në prag të Krishtlindjeve në Qendrën e komunitetit në Everton, Liverpool. Këshilltari i këtij komuniteti, Gerard Woodhouse, i cili e hapi këtë letër tha se “ishte aq shqetësuese për ta lexuar”.

Shirley Marshall, po nga kjo qendër, tha se sapo letra u bë virale në rrjetet sociale, nisën edhe mbështetjet për vajzën e familjen e saj.

“I dashur babagjysh. A mund të më ndihmosh. A mund të kemi një shtëpi për Krishtlindje. Mami ka dëshirë të jemi të gjithë bashkë. A mund të kemi edhe pak ushqim, dhe a mund të kem unë edhe një kukull të bukur për Krishtlindje? Faleminderit”, kishte shkruar 7 vjeçarja. Letra u tregua kur ekipi në qendër të komunitetit filloi të dekoronte ambientin për sezonin festiv.

Është mësuar se vajza dhe motrat e saj të vogla, për shkak të kushteve të rënda, jetojnë tek një i afërm.

Ekipi i qendrës së komunitetit po përpiqet të ndihmojë familjen dhe pritet t’i vendosë në një hotel, ditën e Krishtlindjeve.