.

Albin Kurti përballet me analistët dhe i përgjigjet kryeministrit Rama. Ja çfarë ndodhi mbrëmë në Open

 

Të enjten në mbrëmje i ftuar në emisionin Open në Top Channel ishte kreu i Levizjes Vetëvendosje, njëherazi kryeministri i ardhshëm i Kosovës Albin Kurti. Përballë analistëve Andi Bushati, Henri Çili dhe Alban Dudushi, Kurti foli për temat më të nxjehta të aktualitetit politik, që nga përplasjet me kryeministrin Shqiptar Edi Rama, marshimin e Vetëvendosjes në Tiranë më 28 Nëntor, vonesat në krijimin e qeverisë së Kosovës dhe dialogun me Serbinë.

Negociatat me LDK-në duket se e kishin lënë të pa informuar Albin Kurtin për situatën politike në Shqiperi.

Kryeministri i ardhshëm i Kosovës iu përgjigj edhe akuzave të drejtpërdrejta të kryeministrit Rama për marshimin e paralajmeruar nga Lëvizja Vetëvendosje me qendër në Shqipëri në datën 28 Nëntor. Rama e konsideroi këtë vendim si lajthitje.

Andi Bushati i konsideroi si “gjuhë e drunjtë”, përgjigjet e Kurtit, por ky i fundit tha se po përpiqet të restaurojë autenticitetin e Lëvizjes Vetëvendosje me qendër në Shqipëri.

Teksa u diskutua në lidhje me tezën e Vetëvendosjes për Bashkimin Kombëtar, Kurti tha se nuk heq dorë nga qëndrimet që ka mbajtur më herët. Ai theksoi se qëllimi dhe koncepti nuk ka ndryshuar pavarësisht taktikave politike.

Në lidhje me pjesëmarrjen e kryeministrit Rama në takimet për “Shengenin Ballkanik”, Kurti përsëriti akuzat se këto janë veprime të nxituara. Kreu i VV tha se ky projekt i shërben platfomës për Jugosllavinë e Re.

Një tjetër çështje e rëndësishme e diskutuar në Open ishte teza e Albin Kurtit për Reciprocitet me Serbinë. Kryeministri i ardhshëm i Kosovës dha detaje dhe shembuj se si do ta realizojë këtë premtim.

Debati në Open u karakterizua edhe nga përplasjet dhe tonet e forta. Alban Dudushi ja tha në sy Kurtit se ia shpreson suksesin atij dhe vetëvendosjes por e dyshon këtë gjë.

Albin Kurti foli edhe për Presidentin Thaçi. Ai tha se nëse Presidenti nuk dorëhiqet, Qeveria do ta shkarkojë.

Emisionin e plotë mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm.