.

Kallëzimi ndaj Dvoranit/Bardhi:Akti i duhur në mbrojtje të Kushtetutës


Partia Demokratike e ka cilësuar “një akt në mbrojtje të Kushtetutës dhe integritetit të Gjykatës Kushtetuese”, kallëzimin e penal që Presidenti Ilir Meta firmosi sot ndaj ndaj kreut të KED, Ardian Dvorani, me akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Në një deklaratë për mediat, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, tha se me veprimet e tij në shërbim të partisë në pushtet, Dvorani ka minuar ligjshmërinë dhe besueshmërinë e Gjykatës Kushtetuese.

Deklarata e plotë:

Kallëzimi penal i Presidentit të Republikës ndaj Kryetarit të KED është akti i duhur në mbrojtje të Kushtetutës dhe integritetit të Gjykatës Kushtetuese.

Me veprimet e tij në shërbim të partisë në pushtet, Ardian Dvorani ka minuar ligjshmërinë dhe besueshmërinë e Gjykatës Kushtetuese.

Partia Demokratike beson se një hetim i shpejtë, i plotë dhe i pavarur i shkeljeve të ligjit nga Ardian Dvorani, është një gur themeli për rikthimin e besimit tek drejtësia.

Nga veprimet e prokurorisë do të varet, nëse shqiptarët mund të besojnë akoma se Reforma në Drejtësi nuk u bë që sistemi të kontrollohet nga Edi Rama, por për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së politikanëve dhe zyrtarëve të korruptuar dhe për të trajtuar shqiptarët si të barabartë para ligjit.v